LAJMI I FUNDIT:

Agjërimi i KEK-ut

Maksima, dita e mirë shihet në mëngjes(!) nuk vlen për KEK-un. Ata mëngjesin zakonisht e nisin keq. Nga zyra Viktorit (Buzhalës), menaxherit për informim të Korporatës (e cila do të duhej të prodhojë rrymë e jo terr), me sabah në adresë të medieve shpërndahen kumtesa, që kryesisht kanë përmbajtje të ngjashme, e në rastin “më të mirë” mund të jetë: “Për shkak të defekteve, rrjedhjeve në kazanë ka rënë nga sistemi B1-shi, ose B2-shi i të njëjtit termocentral.

Krejt kjo është shoqëruar edhe me ndonjë rënie nga prodhuesit e hirit në ajër, A3, 4 ose 5 të Dinozaurit TC Kosova A”. Por, ka edhe më keq. Informata që del nga zyra e për informim e KEK-ut mund ta ketë edhe këtë përmbajtje: “… për shkak… (shkaqe e arsyetime sa të duash) kanë rënë nga sistemi të dyja blloqet e Termocentralit Kosova B…”.


Mirëpo, që e tëra të mos jetë terr në mëngjeset me zhurmë gjeneratorësh, në kumtesat e zëdhënësit të KEK-ut zakonisht premtohet se rrjedhjet e defektet do të sanohen gjatë ditës dhe në aksham do të na e bëjnë sabah. Ec e shpreso, e beso!? Dhe, siç rëndom ndodh, rrenat e KEK-ut s’i mbulon as terri dhe çdo natë vjen më e errët se tjetra.

Viktori i pafajshëm “harron” çka ka shkruar e premtuar një ditë më parë, duke u thirrur në emër të menaxhmentit profesional të Korporatës Elektroenergjetike dhe, të nesërmen në mëngjesin e zhurmshëm nga gjeneratorët sërish premton se filan blloku do të hyjë në funksion filan ditën…

Krejt këto janë rezultat i punës së palodhshme të gjigantit, kuptohet për nga njerëzit e punësuar dhe për nga hajnitë që bëhen në prodhuesin më të madh të territ në botë, me emrin KEK. Nejse. S’është mirë t’i quash hajna ata që marrin çka t’u vijë në dorë në pikë të ditës. Bile s’është mirë as të kritikohet kompania që prodhon diçka (terr), e rekruton diçka (hajna). Madje, nuk do të duhej ta ngarkojmë shpirtin e në muajin e shenjtë për myslimanë e të thuhet e vërteta për KEK-un, aq më parë kur në vigjilje të Ramazanit në KEK ndodhi “mrekullia”.

Pasi thanë se ishte dëshmuar si udhëheqës i mirë, ushtruesi detyrës së drejtorit në KEK, Arben Gjukaj, dy-tri ditë para Ramazanit u shpërblye me drejtorllëk U. D.
Por, në të njëjtën kohë, ai nuk e ka “shpërblyer” konsumatorin e KEK-ut, që të paktën syfyrin dhe iftarin ta bëjë në dritë, edhe pse këtë e kishte premtuar në ditën e parë si NJËSHI i KEK-ut, pa U. D.

Premtimin e Gjukajt e mori lumi, kuptohet për shkak të “rrjedhjeve”.
Populli thotë: “Një krua që ka rrjedhë, do të rrjedhë gjithmonë”. Në KEK, kaherë ka filluar të rrjedhë, e është vështirë për ta besuar se drejtori i sapozgjedhur do të provojë ta ndalë rrjedhjen. Mbase, edhe ai do të bëhet pjesë e rrjedhjeve, nga të cilat përfitojnë të gjithë në KEK.

Ndërsa, drejtori i ri, përveç që ka premtuar rrymë për Ramazan, ka premtuar se edhe dimrin do të na e bëjë verë. Premtim se jo mahi.
Gukaj beson se Dinozauri “TC Kosova A”, me gjysmë shekulli jetë, do të na bëjë sabah në dhjetor.

Mirëpo, krejt çka mund e duhet të besohet, është se tymtarët e KEK-t do ta vazhdojnë agjërimin. Për dallim nga besimtarët islamë laramanë, të cilët në Ramazan agjërojnë tri ditë (ditën e parë, natën e Kadrit dhe ditën e fundit), KEK-u është tashmë dëshmuar si agjërues i mirë dhe prodhues i keq. Sërish nejse!

Derisa tymtarët e KEK-ut vazhdojnë të agjërojnë, njerëzit e KEK-ut vazhdojnë ta kenë gjithmonë Kurban-Bajram.