LAJMI I FUNDIT:

Agjenda ekonomike sfidohet nga politika ditore

Agjenda ekonomike sfidohet nga politika ditore

Profesori universitar i ekonomisë, Berim Ramosaj dhe afaristi Shaqir Palushi, kanë theksuar se fokusimi i lidershipit në tema ditore politike ka lënë nën hije agjendën ekonomike në vend.

Ramosaj ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se orientimi i lidershipit të Kosovës kah temat politike është duke e stagnuar agjendën ekonomike, e cila pastaj po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe ndërmarrësve.


Ai ka thënë se duke u marrë vetëm me çështje politike janë duke u harruar çështjet e mëdha ekonomike të cilat ndikuan drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit siç është rasti i pagesës në shumën prej 53 milionë eurosh ndaj “Bechtel & Enka”.

“Orientimi i politikës së Kosovës është kah çështjet e mëdha politike, duke mos u marrë kështu me çështjet e përditshmërisë së qytetarëve. Si rrjedhojë janë harruar edhe skandalet që kanë ndodhur në buxhetin e Republikës së Kosovës, është harruar edhe pagesa e mbi 50 milionë eurove që duhet t’i bëhet kompanisë ‘Bechtel & Enka’. Gjithashtu, i kanë lënë në harresë edhe shumë çështje të tjera”, ka thënë Ramosaj, duke shtuar se mosrishikimi i buxhetit nga Qeveria Haradinaj ka bërë që shumë kërkesa të qytetarëve dhe të bizneseve të mbesin të paadresuara.

“Edhe pse kanë të drejtë që mos ta rishikojnë buxhetin, do të ishte mirë të rishikohej, por këtë mundësi nuk e ka shfrytëzuar Qeveria, duke marrë parasysh se nuk ekziston ekuilibër në mes të të hyrave potenciale dhe shpenzimeve potenciale të buxhetit të këtij viti, andaj ka qenë mundësi e mirë për të gjithë aktorët ndërmarrës që të rishikohet buxheti. Po ashtu, këtu është në pyetje edhe numri i votave dhe roli i opozitës që ka bërë që mos të rishikohet buxheti dhe të mos analizohen shumë çështje ekonomike”, është shprehur ai.

Ndërkaq Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se është për keqardhje fokusi i Qeverisë vetëm në çështjet politike.

“Fatkeqësisht, në rend dite nuk vjen çështja e zhvillimit ekonomik pasi çdoherë dalin tema të reja të cilat e pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Vetë fokusi i Qeverisë përqendrohet në temat politike, kurse në anën tjetër është edhe më keq që investitorët e mundshëm potencialë tremben vazhdimisht nga zhvillimet politike në vend. Po ashtu, jemi dëshmitarë që shumë kompani të fuqishme dhe miq të Kosovës nuk investojnë në Kosovë, por shkojnë në vendet e rajonit, sidomos në Serbi, prandaj agjenda politike shpeshherë e ka dëmtuar zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Palushi.

Ai ka shtuar se sfida me të cilën vazhdojnë të përballen bizneset e Kosovës tashmë është dashur të jetë e harruar.

Palushi ka theksuar se sfida mbesin energjia elektrike, mungesa e atasheve ekonomikë dhe mosliberalizimi i vizave.

“Ka sfida dhe probleme të ndryshme me të cilat ballafaqohemi si prodhues. Një prej tyre është furnizimi me energji elektrike, qasja në tregjet ndërkombëtare, për faktin se në këtë drejtim ka kufizim, gjithashtu edhe mosliberalizimi i vizave është duke ndikuar në stagnim të prodhuesve të Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se sa i përket lobit ekonomik apo diplomacisë ekonomike, gjithmonë ka munguar një qasje më pragmatike.

“Nuk e di çfarë bëjnë ambasadat dhe njerëzit tanë atje sa i përket zhvillimit ekonomik të Kosovës. Shikoni ambasadat e huaja, janë shumë aktive në agjendën ekonomike të shteteve që përfaqësojnë. Na ka rastisur shumë kur partnerët tanë vijnë të na vizitojnë, ata janë të shoqëruar nga përfaqësuesit ekonomikë të ambasadave, kurse nga Kosova nuk ka ndodhur asnjëherë, edhe se vazhdimisht shoqërohemi nga atashetë ekonomikë”, është shprehur Palushi. /Epoka e Re/ Telegrafi/