Afrim Jashari e bën mrekullinë me Drenicën

Afrim Jashari e ka ndryshuar krejtësisht fytyrën e Drenicës, prej momentit që e mori atë në dorë. Trajneri drenicas po e bën mrekullinë me Kuqezinjtë, duke e përmirësuar dukshëm lojën e skuadrës, me ç’rast edhe rezultatet nuk po mungojnë.
Që prej periudhës kur u emërua trajner, Jashari i ka regjistruar tri fitore e një barazim me Drenicën, e cila u ngrit në mesin e tabelës. Para se ta merrte ai këtë ekip, drenicasit gjendeshin në pozitën e fundit me vetëm tri pikë, duke pësuar 3 humbje dhe duke shënuar vetëm një fitore.
Jashari e ka treguar edhe çelësin e suksesit, të cilin synon ta ‘përdor’ deri në fund të sezonit. “Mendoj se çelësi i suksesit është bashkëpunimi i lojtarëve me mua, por edhe puna që po e bën kryesia. Gjithçka po funksionon. Ekziston disiplina, puna në fushë dhe harmonia në ekip. Pas rezultateve të mira, është kthyer vetëbesimi, por lojtarët duhet të reagojnë edhe nëse punët nuk shkojnë mirë”, deklaroi Jashari për Express.
Ai do të punojë me skuadrën, në mënyrë që ajo të vazhdojë me rezultate dhe formë të tillë deri në fund të sezonit.
“Lojtarët po i zbatojnë detyrat si duhet dhe kanë liri në lojë, mund ta bëjnë lirisht lojën e tyre. Ne synojmë të vazhdojmë të ushtrojmë dhe të shfaqim paraqitje të mira. Futbollit nuk i dihet, topi është i rrumbullakët. Lojtarët duhet të dalin nga fusha të djersitur. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, besoj në suksese”, vazhdoi trajneri drenicas.
Drenica gjendet në pozitën e gjashtë në tabelë me 13 pikë të grumbulluara, sa ka edhe Prishtina, që është e pesta. Kuqezinjtë kanë regjistruar 4 fitore, 1 barazim e 4 humbje. /Express/Telegrafi/




















































