LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti: Faji i policisë, njoftuam, por nuk ndërhyri

Aeroporti: Faji i policisë, njoftuam, por nuk ndërhyri

Katër ditë pas grabitjes më të madhe në historinë e aeroportit të Rinasit, kompania koncesionare ka thyer heshtjen dhe përmes një deklarate për mediat bën përgjegjëse për atë që ndodhi Policinë e Shtetit, së paku për mosveprim.

“TIA ka ndjekur me shqetësim raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit mbi raportimin, më së paku të pasaktë, të ngjarjes në fjalë. Theksojmë se njoftimi i TIA-s për policinë është bërë në kohën kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje. Përveç kësaj, theksojmë se punonjësit e policisë kanë qenë prezentë në pistë vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja”, tha Arlinda Çausholli, zëdhënësja e aeroportit.


Kompania private ICTS është përgjegjëse për shërbimin e sigurisë aeroportuale, e certifikuar prej vitesh nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar. Por, TIA thotë se kjo kompani nuk ka të drejtë të ndërhyjë fizikisht: “ICTS operon e paarmatosur. E vetmja forcë e armatosur në aeroport është Policia e Shtetit. Për sa i takon ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në territorin jashtë gardhit rrethues të aeroportit nga ka hyrë makina, kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e forcave të Policisë së Shtetit”.

Me gjithë ngjarjen e rëndë, kompania që menaxhon aeroportin thotë se masat e sigurisë dhe kontrollit brenda tij janë të standardeve ndërkombëtare. Megjithatë, ajo nuk ka bërë asnjë koment për raportin e kushteve të sigurisë të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit, që përmes 3 testimeve të fshehta kishte treguar dështimin e sigurisë në aeroport. /Telegrafi/