Bosnja dhe Hercegovina ka arritur një ndër sukseset më të mëdha në dekadat e fundit, duke mposhtur Gjeorgjinë 84:76 dhe duke siguruar kualifikimin në fazën eliminatore të Eurobasket.

Përzgjedhësi Adis Bećiragić, i cili njëkohësisht është edhe trajner i KB Trepça në Kosovë, konfirmoi edhe një herë aftësitë e tij, duke udhëhequr skuadrën në një ndeshje dramatike.


Bosnja e nisi fuqishëm me gjuajtje për tre pikë dhe mbajti ritmin deri në fund, edhe pse Gjeorgjia arriti ta barazojë 69:69 në çerekun e katërt.

Momenti vendimtar erdhi nga Aleksandar Lazić, i cili shënoi një treshe të artë për epërsinë +9.

Ylli Jusuf Nurkić realizoi një double-double me 15 pikë e 12 kërcime, ndërsa John Roberson shtoi 15 pikë dhe 5 asistime. Lazić kontribuoi me 13 pikë, Atić me 11 dhe Vrabac me 10.

Tashmë, Bosnja pret kundërshtarin në raundin e 16-të, që do të jetë një mes Francës, Izraelit apo Polonisë. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app