AC Milan në kërkim të talentëve të futbollit në Kosovë

Ky aktivitet sportiv, i cili për herë të tretë po organizohet në vendin tonë, synon që të nxjerrë talentë të rinj të futbollit të cilët më pastaj mund të jenë pjesë e ekipit të Milanit, zyrtarët e të cilit kanë thënë se Kosova ka një potencial të fuqishëm të të rinjve të gatshëm për t’u përballë me këtë sfidë.
Menaxheri i kampeve stërvitore të “AC Milan” për Evropë, Marko Shembri, ka thënë se bazuar në përvojat dhe praktikat e deritanishme, Kosova ka perspektivë të mirë që të nxjerrë futbollist të mirë. Ai është shprehur i kënaqur me organizimin, ndërsa ka thënë se brenda kësaj kohe trajnerët e tij do të nxjerrin pesë më të mirët që do të vazhdojnë sfidën në Itali.
“Për ne është një kënaqësi e madhe që jemi në Kosovë për të treten herë me radhë, Kosova mund të them se është një palestër e talentëve. Neve na pëlqen që të lëvizim nëpër qytete të ndryshme, në vitin e parë kemi qenë në Prishtinë, në vitin e dytë në Mitrovicë, kurse kësaj here jemi këtu. Ky projekt u ofron mundësi fëmijëve në mbarë botën për t’i demonstruar aftësitë e tyre dhe ndoshta edhe për t’u bërë pjesë e familjes ‘AC Milan’ në të ardhmen. Ne jemi prezentë në pesë kontinente përfshirë këtu edhe Kosovën. Jemi të lumtur që jemi këtu dhe pritja është e mrekullueshme, dhe këta fëmijë mund të jenë e ardhmja e sportit të Kosovës “, ka thënë ai, ndërsa transmeton Kosovapress.
Ky kamping stërvitor është parë mjaftë sfidues edhe për pjesëmarrësit të cilët kanë thënë se do ta japin maksimumin për t'i treguar vlerat e vërteta në lojën e futbollit.
Në emër të organizatorit të kampit, Anika Taçi, nga kompania "Taçi Oil" u ka dëshiruar sukses pjesëmarrësve duke thënë se puna dhe përkushtimi gjatë këtyre ditëve do të jetë përcaktues për të ecur përpara. Ajo ka thënë se organizatori ia ka dalë që të grumbullojë të rinj nga e tërë Kosova të cilët do ta sprovojnë talentin e tyre, ndërsa më të mirët, sipas saj, do të ecin tutje.
Edhe këtë vit organizimin e këtij aktiviteti sportiv e ka mbështetur Ministria e Sportit, Federata e Futbollit dhe komuna e Ferizajt. /Telegrafi/




















































