LAJMI I FUNDIT:

Abdixhiku takohet me Ahmetin, i premton përkrahje për Prishtinën

Abdixhiku takohet me Ahmetin, i premton përkrahje për Prishtinën

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, është pritur në takim nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas komunikatës, në këtë vizitë, të parën në komunën e Prishtinës, Abdixhiku theksoi vendosmërinë e tij për ta trajtuar kryeqytetin me prioritet.


Prandaj, tha se do të shtyjë përpara realizimin e rrugës A, përfundimin e hartës zonale si dhe rishikimin e planeve dinamike të projekteve të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë, për të cilat përgjegjëse është MIA.

Më tutje, ministri Abdixhiku ka thënë se është i hapur për bashkëpunim në projekte, për t’i ofruar ndihmë Prishtinës, brenda kompetencave e kapaciteteve dhe për të njëjtën është pajtuar edhe kryetari Ahmeti.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook duke dhënë edhe disa nga projektet në të cilat do të përkushtohet ministria, për t’i realizuar në kryeqytet.

“Sot vizitova Kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti dhe ekipin e tij. I prezantova projektet prioritare te Qeverisë në infrastrukturë e në mjedis në Prishtinë. U pajtuam të ndërtojmë një grup të përbashkët Ministri-Komunë që do të koordinojnë projektet e mëdha në Prishtinë këtë vit, me theks të veçantë: – Rrugën A me gjithë kolektor, unazën e Prishtinës, hartën Zonale, përpjetëzën e mbikalimet në Veternik,-urën dhe unazën në Arbëri, kolektorin në Hajvali, ujësjellësin në Gollak, trajtimin rajonal të mbeturinave. Kryeqyteti në këtë mandat qeverisës do të ketë vëmendje rrënjësisht më të shtuar”, shkruan Abdixhiku. /Telegrafi/