LAJMI I FUNDIT:

Abdixhiku në Deçan: S’është koha për politikë e as gjueti fajtorësh – gjendja është e rëndë me fëmijë, gra e burra të shtrirë

Abdixhiku në Deçan: S’është koha për politikë e as gjueti fajtorësh – gjendja është e rëndë me fëmijë, gra e burra të shtrirë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Deçanin pas helmimit të qindra qytetarëve të kësaj komune.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës i kanë ofruar ndihmën e nevojshme kësaj komune.


“Komunës fqinje, i ofruam ndihmën e nevojshme – të çfarëdoshme – Komunës së Deçanit, Qeverisë qendrore e gjithë qytetarëve të kësaj ane. Gjithashtu, të gjitha ekipet tona të ekspertëve e profesionistëve, vullnetarëve e strukturave janë në dispozicion të plotë. Sot, të gjithë ndjehemi qytetarë të Deçanit”, ka shkruar ai.

Tutje thënë se nuk është koha t’i hidhet askujt faji dhe se të gjithë duhet të jenë bashkë.

“Gjendja është e rëndë; me fëmijë, gra e burra të shtrirë. Por kjo s’është kohë për të bërë politikë e as për gjueti fajtorësh. Përkundrazi, është koha për ndihmë”, ka thënë Abdixhiku.

Paraprakisht sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë, nga dita e shtunë e deri më sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë shëndetësore rreth 1 mijë pacientë, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Helmimi i qindra qytetarëve në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente./Telegrafi.