LAJMI I FUNDIT:

AAK përkrah marrëveshjen sipas propozimit evropian, Tahiri: Dyshoj se në fund Kurti do të tërhiqet

AAK përkrah marrëveshjen sipas propozimit evropian, Tahiri: Dyshoj se në fund Kurti do të tërhiqet

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se partia e tij e mbështet Qeverinë lidhur me pranimin e Propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka shtuar se dokumenti ka dykuptimësi dhe sipas tij interpretimi i dyfishtë e ka peshën pasi të nënshkruhet marrëveshja.


“Ne kemi vlerësuar që ky dokument është në interes për vendin, në veçanti në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, e organizata të ndryshme ndërkombëtare. Pa dyshim që ky propozim i ka të metat e veta, mirëpo ky propozim e ka marr përkrahjen tonë për shkak të rrethanave në të cilat është Kosova. Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë më mbështetjen e Kurtit e as qeverisë së tij, por ka të bëjë me një qëndrim që në rrethana që është Kosova kërkon një qëndrim më të thellë dhe të drejtë”, tha Tahiri.

Tahiri ka deklaruar se dyshon se Kurti do të tërhiqet nga nënshkrimi, derisa ka sugjeruar kryeministrin që të ketë kujdes sa i përket nenit 7 dhe 10, ku flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Adresa jonë për mbrojtjen nga Asociacioni është vendimi i Kushtetutës. Ajo çka duhet të thuhet këtu është se Qeveria duhet që të ketë kujdes për trajtimin e nenit 7 si dhe 10. Kryeministër, kuvendin e ke thirr vetëm kur ke pas nevojë për mbështetje. Kuvendi ka qenë i anashkaluar, dhe sot kur po e trajtojmë këtë temë duhet që të kesh kujdes në trajtimin e saj. Prej Aleancës sa i përket kësaj marrëveshje e ki mbështetjen. Por ki kujdes se udhërrëfyesi mund të krijoj struktura që e pengojën marrëveshjen finale”, tha Tahiri. /Telegrafi/