A është e vërtetë “sindroma e sezonit të dytë” e Hansi Flick?

Hans-Dieter Flick konsiderohet gjerësisht si një nga trajnerët më të mirë në botë, por karriera e tij ka një kontrast të dukshëm: ai sjell sukses të menjëhershëm dhe ringjall klube të rrënuara, por pothuajse gjithmonë pason një rënie e parashikueshme – fenomen që shumë tifozë e quajnë “sindroma e sezonit të dytë të Hansi Flick”.
Ky ritëm ka qenë i dukshëm që në fillimet e tij te Hoffenheim, ku Flick siguroi menjëherë një ngritje cilësore, por më pas ngeci për vite pa arritur hapin e radhës. E njëjta histori u përsërit shumë më qartë te Bayern Munich.
Suksesi te Bayern dhe rrënjët e rënies
Kur mori drejtimin e Bayernit në fund të vitit 2019, Flick transformoi jo vetëm mënyrën e lojës, por edhe atmosferën. Me stilin e tij agresiv, presingun e lartë dhe lojën vertikale, ai krijoi një makineri të pamëshirshme, kulmi i së cilës ishte seks-titulli historik i vitit 2020 dhe fitorja famëkeqe 8-2 kundër Barcelonës.
Megjithatë, ky stil hiperintensiv kërkon përgatitje fizike ekstreme dhe funksionon vetëm kur çdo lojtar operon në maksimum – një ritëm i pamundur të mbahet gjatë, çka solli rënien e ekipit sezonin pasues.

Përvoja me kombëtaren gjermane
Te Gjermania, “sindroma” u theksua edhe më shumë. Flick filloi me fitore të njëpasnjëshme, por në vitin e dytë ekipi u përball me rënie të ndjeshme. Përpjekja për të aplikuar një sistem kompleks klubesh te një kombëtare që stërvitet rrallë rezultoi e pasuksesshme. Gjermania dështoi në Botërorin 2022 dhe një sërë miqësoresh të dobëta, duke përfshirë humbjen 4-1 ndaj Japonisë, e çuan në shkarkim.
Rasti Barcelona
Tek Barcelona, projekti i Flick përbën një tjetër shembull të qartë. Në sezonin e parë, filozofia e tij intensiv– 4-2-3-1 me gegenpressing dhe tranzicione të shpejta, solli energji të re në dhomën e zhveshjes. Rezultatet ishin të menjëhershme: dominim në trofetë vendorë dhe arritja në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, ashtu si në të kaluarën, ekziston frika se kjo qasje fizikisht dhe taktikisht e kërkuar mund të sjellë rënie në vazhdimësi nëse nuk përshtatet në kohë./Telegrafi/


















































