A e di ti atë që di unë?

Steven Pinker argumenton se njohuritë e përbashkëta janë ato që e vënë botën në lëvizje dhe ndonjëherë edhe e nxjerrin nga shinat.
Nga: Joshua Rothman / The New Yorker
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Nëse e merr fëmijën tënd të vogël me vete teksa udhëton përmes Stacionit “Penn”, do të zbulosh se ke shumë gjëra për të shpjeguar. Teksa kalon në hollin e stacionit për në hekurudhën “Long Island Railroad”, djali im mbeti i hutuar nga afërsia e tre restoranteve me tematikë pule - Chick-fil-A, Raising Cane’s dhe Pollo Campero - si dhe nga fakti që një dyqan i quajtur Gotham News dukej se shiste kryesisht çokollata dhe ujë në shishe. Ai gjithashtu donte të dinte pse disa njerëz, ndërsa shëtisnin apo prisnin, pinin nga kanaçet e mbështjella me qese letre ngjyrë kafe. “Pse i përdorin ato qese”? - pyeti ai.
Nga t’ia nisësh? Përdorimi i qeseve ngjyrë kafe është një nga ato praktikat sociale që vazhdojnë të duken pa kuptim edhe pasi janë shpjeguar. Siç e dimë të gjithë, ideja është që qeset fshehin pijet që konsumohen, duke u lejuar konsumuesve dhe policëve të injorojnë ndalimin për të pirë alkool në vende publike. Sigurisht, këto qese nuk fshehin asgjë në të vërtetë; përkundrazi, ato përdoren posaçërisht për - dhe sinjalizojnë qartë - pirjen e alkoolit. (Nuk do t’ju shkonte kurrë në mendje të pini ujë Fiji nga një qese letre.) Kur shprehet me fjalë, kjo mënyrë e të menduarit tingëllon absurde. Pijetarët e dinë që policët e dinë që ata po pinë, dhe policët e dinë që pijetarët e dinë që ata e dinë. Por, policët sillen sikur nuk e dinë, ndërsa e ruajnë të drejtën për të “kuptuar papritmas” se çfarë ndodh nëse pijetari bëhet i zhurmshëm. Ndërkohë, ata që nuk pinë përfitojnë nga një stacion treni që duket më i qytetëruar sesa është në të vërtetë.
Këto rryma të çuditshme të një logjike të ngatërruar nuk mund të jenë tipike për mënyrën si mendojmë; me siguri që çështjet njerëzore zakonisht janë më të drejtpërdrejta. Por, pikërisht këtë supozim e vë në dyshim Steven Pinker në librin e tij të ri, Kur të gjithë dinë që të gjithë dinë ...: Njohuritë e përbashkëta dhe misteret e parasë, pushtetit dhe jetës së përditshme [When Everyone Knows That Everyone Knows ...: Common Knowledge and the Mysteries of Money, Power, and Everyday Life.]. Enigma kush-e-di-kush-e-di-çfarë, gjithmonë magjepsëse për adhuruesit e romaneve misterioze dhe trilerëve me spiunë, prej kohësh ka qenë objekt i interesit për psikologët dhe teoricienët e lojërave. “Si shkencëtar kognitiv, e kam kaluar jetën duke menduar se si mendojnë njerëzit”, shkruan Pinker. “Kështu që tema kryesore e magjepsjes sime duhet të jetë si mendojnë njerëzit për atë që mendojnë njerëzit e tjerë, dhe si mendojnë për atë që njerëzit e tjerë mendojnë që mendojnë, dhe si mendojnë për atë që njerëzit e tjerë mendojnë që ata mendojnë që mendojnë që mendojnë”. Këto lakime të përsëritura mendore, argumenton Pinker, nuk janë thjesht ushtrime logjike për specialistët; ato janë thelbësore për mënyrën si jetojmë.
“Njohuri të përbashkëta” është termi që zakonisht përdorim për të përshkruar ato ide ose fakte që të gjithë i dimë: për shembull, betimi i besnikërisë apo kuptimi i shkurtesës LOL. Por, Pinkeri ka në mendje një përkufizim më specifik. Ai shpjegon se njohuritë e përbashkëta nuk janë thjesht ato që dimë, por ajo që dimë se dihet. Ato janë të ndryshme nga “njohuritë e ndërsjella” të cilat mbahen nga disa njerëz, por jo haptazi. Nëse ti e di që perandori është lakuriq, dhe unë e di që perandori është lakuriq, kjo është një njohuri e ndërsjellë: asnjëri prej nesh nuk mund të jetë i sigurt që tjetri e di. Për dallim, nëse unë e di me siguri që ti e di, dhe ti e di me siguri që unë e di, ajo dije është e përbashkët mes nesh. “Kur djali i vogël tha që perandori ishte lakuriq, ai nuk po i thoshte askujt diçka që nuk e dinin tashmë”, shkruan Pinkeri. Megjithatë, “duke shpërthyer me zë atë që çdo spektator mund ta shihte” - Pinker përmend idioma si “nxjerrja e maces nga thesi” ose “ta nxjerrësh në dritë” - ai e ktheu lakuriqësinë e perandorit në njohuri të përbashkët, gjë që mjaftoi për të ndryshuar perceptimin e të gjithëve për perandorin, “nga nderimi servil te tallja dhe përbuzja”.
Historia e perandorit pa rroba tregon se si njohuritë e përbashkëta fuqizojnë veprimin kolektiv. Të gjithë në perandori e dinë që perandori është një budalla - dhe megjithatë askush nuk dëshiron të rrezikojë ta kritikojë. Çdokush mendon vetëm për veten. Kjo është ajo që teoricienët e lojërave e quajnë problem koordinimi. Nëse të gjithë do të vepronin bashkë, revolucioni do të ishte i mundur, por kur individët veprojnë të vetëm, përballen me ndëshkim; edhe më keq, kanë nxitje të veprojnë kundër të mirës së përbashkët, për shembull duke denoncuar njëri-tjetrin apo duke mohuar realitetin përballë njëri-tjetrit. Por, sapo lakuriqësia e perandorit bëhet njohuri e përbashkët, problemi i koordinimit mund të zgjidhet.
Jeta është plot me probleme koordinimi që adresohen përmes njohurive të përbashkëta, shkruan Pinker. Në shembullin më të thjeshtë, dy persona që përpiqen të kalojnë një derë të ngushtë në të njëjtën kohë mund të koordinohen më me efikasitet nëse janë të vetëdijshëm që ndajnë të njëjtat zakone për atë se kush ka përparësi. (Ata mund ta dinë se që të dy bien dakord se përparësia i takon atij që ka mbërritur i pari, ose atij që është shefi, ose sipas parimit “së pari zonjat”.) Në Amerikë, është njohuri e përbashkët që makina vozitet në anë të djathtë, jo në të majtë. Duke lexuar Pinkerin, më erdhi ndër mend se si, në qytetin e Nju-Jorkut, është njohuri e përbashkët që këmbësorët shpesh presin për të kaluar rrugën duke qëndruar në rrugë, jo mbi trotuar. Shoferët në qytet e marrin këtë parasysh, dhe këmbësorët e dinë që shoferët e dinë dhe anasjelltas. Po ta bësh këtë diku tjetër, atëherë ti e rrezikon jetën tënde.
Grupet e mëdha të njerëzve, shkruan Pinker, shpesh e zgjidhin problemin e koordinimit për të qëndruar të bashkuar duke kultivuar besime që janë “të përbashkëta, por jo lehtësisht të verifikueshme”. Pinkeri përmend një besim të së djathtës amerikane “se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 u vodhën” dhe bindjen “mes të rinjve të arsimuar të së majtës” se “të jesh burrë apo grua nuk ka të bëjë me biologjinë”. Pikërisht për shkak se idetë e tilla janë të diskutueshme dhe jo të vetëkuptueshme - janë larg të qenit pohime si “dielli lind në Lindje”, shkruan Pinker - ato funksionojnë si sinjale të besueshme të përkatësisë në një grup. Nëse dikush të thotë se beson në [teorinë konspirative] “Pizzagate” mund të jesh mjaft i sigurt se ai ka edhe shumë besime të tjera të ngjashme dhe koordinimi mund të fillojë.
Këto lloj besimesh ua mundësojnë njerëzve, që në të vërtetë janë mjaft të ndryshëm, të ndihen të ngjashëm. Njohuritë e përbashkëta merren shumë seriozisht; ato kthehen në një provë për përkatësi dhe në një nxitje për ndarje. Ato formësojnë rrjedhën e shoqërisë dhe na prekin si individë. Megjithatë, në analizën e Pinkerit, ato kanë shumë ngjashmëri me besime dhe konventa më të padëmshme, si rregullat e qarkullimit rrugor. Për adhuruesit e [filmit] KPop Demon Hunters, është një artikull që krijon besimin që këngëtarja Ejae është talent i brezit për shkak të nivelit të saj të jashtëzakonshëm në vokal, që duket se përfshin dy oktava e gjysmë; brenda MAGA-s, është njohuri e përbashkët që e majta radikale po përpiqet të indoktrinojë fëmijët me ideologjinë gjinore; brenda disa grupeve të studiuesve të inteligjencës artificiale, të gjithë e dinë që të gjithë mendojnë se një superinteligjencë së shpejti mund të marrë pushtetin në botë. Si do të ishte jeta nëse do t’i shihnim këto besime jo si ide që janë domosdo tërheqëse në vetvete, por si zgjidhje jashtëzakonisht të fuqishme për problemet e koordinimit?
Nëse njerëzit që duan të punojnë së bashku kultivojnë njohuri të përbashkëta, ata gjithashtu i mbikëqyrin, i shtypin dhe i eliminojnë ato - si për të ruajtur kohezionin e grupit, ashtu edhe për të shmangur përfshirjen në grupe të njerëzve që ata nuk i pëlqejnë. Anëtarët e një komuniteti fetar mund të ndëshkojnë heretikët që vënë në pikëpyetje njohuritë e përbashkëta; në këtë proces, ata ndonjëherë krijojnë mundësi për njerëzit që të pohojnë përkatësinë e tyre në grup duke kontribuar në aktin e ndëshkimit. Sa më shumë njerëz i bashkohen turmës, aq më shumë të gjithë besojnë se të gjithë e besojnë dogmën. (Pinkeri argumenton se kjo është dinamika prapa cancel culture.) “Rrethi i brendshëm i një udhëheqësi senil mund të sillet sikur gjithçka është normale”; ndoshta ata brenda rrethit po përpiqen të parandalojnë që njohuria e ndërsjellë për plakjen e tij (të gjithë e dinë për të) të shndërrohet në njohuri të përbashkët (të gjithë e dinë që të gjithë e dinë për këtë). Në mënyrë të ngjashme, kur një udhëheqës i paqëndrueshëm bën deklarata autokratike, ithtarët e tij mund të këmbëngulin se ai “vetëm po bën shaka”. Mund të thuash se po e fusin birrën në një qese ngjyrë kafe.
Megjithatë, në rrethana të tjera, shmangia e njohurive të përbashkëta mund të jetë e ndërlikuar, madje edhe e këndshme. Merrni për shembull dy persona që pëlqejnë njëri-tjetrin: ata mund të organizohen të dalin bashkë, por në një mënyrë që e mban të fshehur tërheqjen e ndërsjellë, duke mos e kthyer atë në njohuri të përbashkët. (Dy miq mund të shijojnë një shëtitje në natyrë, apo jo?) Ajo që fshehin mund ta shtojë tensionin mes tyre - ose mund të shërbejë si mbulesë nëse ajo ndjesi zhduket. Pinkeri rrëfen një episod të [serialit] Seinfeld, në të cilin Xhorxhi i tregon Xherit dhe Elejnës për një takim. “Më fton të ngjitem në apartament në mesnatë, për ‘kafe’”, kujton Xhorxhi. “Dhe, unë nuk ngjitem. ‘Jo, faleminderit. Nuk dua kafe. Më mban zgjuar. Është shumë vonë për mua të pi kafe’. Këtë ia thashë. Njerëzit që janë kaq budallenj nuk duhet të lejohen të jetojnë”! Pse nuk ishte vajza më e drejtpërdrejtë në ftesën e saj? Pinkeri në fund e përshkruan këtë qasje të tërthortë si një formë e “mohimit të besueshëm të njohurive të përbashkëta”. Xhorxhi e di se ku dëshiron që të shkojë mbrëmja, dhe me shumë gjasë edhe ajo, por padituria e saj e simuluar ua jep të dyve mundësinë për të zbutur situatën. Nganjëherë është e dobishme të shtireni sikur jeni vetëm miq.
Në raste të tjera, mungesa e njohurive të përbashkëta mund t’i bëjë të paaftë njerëzit që me të vërtetë kanë nevojë të bashkëpunojnë. Në emisionin “Terapia për çiftet” [Couples Therapy], psikanalistja Orna Guralnik i inkurajon anëtarët e një çifti që të zëvendësojnë këndvështrimet e tyre individuale për mosmarrëveshjet, me një kuptim të përbashkët për atë që po shkon mbrapshtë. Ajo i ndihmon ta zhvillojnë këtë kuptim, dhe shpesh u kërkon ta shpjegojnë te njëri-tjetri në mënyrë që të mos ketë dyshim se të dy e dinë se çfarë po ndodh. “Kjo ju jep një ide mjaft të qartë për atë se çfarë duhet të bëni”, u thotë ajo një çifti tipik, pasi përmbledh problemet e tyre. Tani, e vetmja pyetje është nëse çifti do të veprojë mbi atë që e dinë se e dinë.
Duke parë gjendjen e vendit, mund të pyesësh veten nëse diçka ka shkuar keq me njohuritë tona të përbashkëta. Pinkeri përshkruan se si rrjetet sociale e kanë ndryshuar dinamikën e asaj që dimë bashkërisht. Në internet, shkruan ai, “mesazhet ndihen si njohuri të përbashkëta, të paktën mes njerëzve që kanë rëndësi për ty” dhe je i ftuar të kontribuosh në krijimin e atyre njohurive duke pëlqyer, rishpërndarë ose në mënyra të tjera duke treguar që edhe ti e di atë që të gjithë e dinë. Mundësitë e reja për krijimin e njohurive të përbashkëta shfaqen pandërprerë në faqen tonë informative [feed] dhe, si rezultat, pohon Pinkeri, ne tani harxhojmë kohë dhe energji të tepruar për rituale të pohimit dhe përjashtimit të asaj që përfshin puna e tyre. Si mund ta ngadalësojmë këtë proces? Një mundësi është që, në përgjithësi, të largohemi nga mjediset sociale që janë tepër të angazhuara për të na treguar se çfarë duhet të mendojnë njerëzit si ne. Po ashtu, duhet të jemi më të kujdesshëm në pranimin e besimeve që bëjnë më shumë për të na kategorizuar sesa për të na informuar.
Shumë nga teknologjitë tona janë ndërtuar mbi një supozim jo të paarsyeshëm se hapja është e mirë dhe se është më mirë të kemi më shumë njohuri të përbashkëta. “Evolucionari i Homo sapiensit është ai i ndërvarësisë masive”, shkruan Pinkeri. Si specie kemi arritur këtu duke bashkëpunuar në grupe gjithnjë e më të mëdha. “Nëse njohuritë e përbashkëta janë të nevojshme për koordinim”, vazhdon ai, “atëherë pse të mos heqim dorë nga gënjeshtrat” dhe të përqafojmë një etikë të “ndershmërisë radikale” dhe transparencës totale? Arsyeja për të mos shkuar në atë drejtim, sipas Pinkerit, është se njohuritë e përbashkëta nuk ekzistojnë për hir të vetvetes; ato janë një mjet për një qëllim. Janë aty për të na ndihmuar të bashkohemi dhe, disa gjëra, nëse nxirren në pah, mund të na ndajnë.
Internetin dikur e shihnin gjerësisht si një lloj makinerie bashkëpunimi që do të na ndihmonte të bashkërendoheshim dhe të koordinoheshim në nivele të reja të papara më parë. Analistët flisnin për “turma të zgjuara” dhe për “mençurinë e masës”. Që nga ajo kohë, jemi bërë më të vetëdijshëm për kërcënimet që vijnë nga dezinformimi, mendimet e fiksuara dhe shpërndarjet virale. Por, libri i Pinkerit i sheh këto shqetësime nga një kënd tjetër. Ai tregon se krijimi, përhapja, pohimi dhe mohimi i njohurive të përbashkëta janë shumë më komplekse sesa mendojmë. Qëllimi ynë nuk është thjesht të krijojmë më shumë njohuri të përbashkëta. Në jetën tradicionale sociale, ne veprojmë me kujdes, pranojmë një gjë dhe fshehim një tjetër për të menaxhuar me kujdes lidhjet tona. Ndonjëherë jetojmë jetë të dyfishta apo trefishta - duke ditur, por duke u bërë sikur nuk dimë; ose duke ditur që të tjerët e dinë që ne e dimë, por duke mohuar se e dimë që ata e dinë. Mund të duket e çuditshme të njohësh vetëm përgjysmë, por e bëjmë sepse bota është e ndërlikuar dhe kemi nevojë për hapësirë manovrimi.
Në të vërtetë, mund të thuhet se interneti nuk është një makinë bashkëpunimi sa është një motor për shprehjen e opinionit. Dhe, megjithëse kjo shprehje e përshpejtuar e opinionit mund të ndihmojë koordinimin, ajo gjithashtu mund ta minojë atë. Në internet, ne arrijmë më shpejt në përfundime për atë që njerëzit mendojnë dhe tregojmë më shpejt se jemi dakord ose jo, duke anashkaluar kompleksitetet e njohurive të përbashkëta. Në thelb, kjo ngjan me tinder-izimin e shoqërisë, ku një valle e ndërlikuar shoqërore zëvendësohet nga thjeshtësia e menjëhershme e një rrëshqitjeje majtas ose djathtas. Do të jetë e vështirë të rikthejmë një qasje delikate ndaj njohurive të përbashkëta në një botë së cilës i është grabitur delikatesa. /Telegrafi/




















































