A duhet Edon Zhegrova ta mendojë seriozisht largimin nga Juventusi kur afati i janarit është ende i hapur?

Më pak se 24 orë para mbylljes së afatit kalimtar të janarit, dilema rreth së ardhmes së Edon Zhegrovës te Juventusi po bëhet gjithnjë e më e madhe, me lojtarin që duhet të mendojë seriozisht të ardhmen e tij.
Shifrat janë të ftohta dhe flasin qartë: 293 minuta në 23 ndeshje, mesatarisht rreth 13 minuta për lojë – një rol periferik për një lojtar që pritej të sillte kreativitet dhe shpërthim në krah.
Shumëkush mendoi se ardhja e Luciano Spallettit në vend të Igor Tudor, do të ndryshonte situatën e reprezentuesit të Kosovës, por realiteti në fushë ka qenë ndryshe.

Zhegrova vazhdon të mbetet ‘jashtë’ planeve kryesore të trajnerit, shpesh duke mos u aktivizuar fare ose duke hyrë vetëm për minuta simbolike, edhe pse Spalletti në konferecë për shtyp flet fjalë të mira për sulmuesin kosovar.
Shifrat tregojnë qartë rolin periferik të Edon Zhegrovës te Juventusi.
Në shumë raste, kontributi i tij ka qenë thuajse simbolik: kundër Parmës, Cagliarit, Fiorentinës, Lazios, Real Madridit, Benficës, Napolit dhe Bolognës ai nuk u aktivizua fare, ndërsa ndaj Sassuolos hyri vetëm për një minutë.
Edhe në ndeshje të tjera, minutat kanë qenë minimale – 7 minuta kundër Udineses, 8 ndaj Bodø/Glimt, 9 përballë Napolit, apo 18 minuta ndaj Monacos.

Ka pasur edhe disa paraqitje me pak më shumë hapësirë, por pa vazhdimësi reale.
Zhegrova luajti 19 minuta kundër Sporting CP, 25 ndaj Cagliarit, 26 përballë Torinos, 29 minuta kundër Cremoneses, si dhe nga 30 minuta ndaj Pisës dhe AS Romës.
Aktivizimet më të gjata mbeten përjashtim: 45 minuta kundër Lecces, 46 ndaj Pafosit, ndërsa ndeshjet ku iu afrua një roli më të qëndrueshëm ishin të rralla dhe të izoluara, pa krijuar një seri që do t’i garantonte ritëm dhe besim.
Në total, vetëm dy ndeshje mbi 45 minuta, ndërsa në shumicën dërrmuese të takimeve, Zhegrova ka mbetur në stol ose jashtë planeve.

Në këtë kontekst, huazimi duket gjithnjë e më shumë si një opsion i domosdoshëm, jo vetëm për të rigjetur formën dhe ritmin, por edhe për të mos humbur vazhdimësinë në një moment kyç të karrierës.
Evertoni ishte një mundësi, por siç duket, bisedimet mes palëve u ndërprenë pa nisur mirë.
Në këtë realitet, është e vështirë të pretendohet se Zhegrova po ndërton formë konkurruese. Minutat e copëzuara, hyrjet e vonshme dhe mungesa e vazhdimësisë e kanë vendosur atë në një zonë gri, larg pritshmërive që shoqëruan transferimin e tij dhe larg nivelit që kërkohet për të qenë faktor vendimtar, si në klub ashtu edhe në Kombëtaren e Kosovës.
Afati kalimtar i janarit mbyllet të hënën në ora 20:00 në pesë ligat kryesore evropiane.

Deri atëherë, vendimi i Edon Zhegrovës mund të jetë një nga më të rëndësishmit e karrierës së tij: të presë një shans që nuk po vjen, apo të largohet përkohësisht për të luajtur, për të gjetur veten dhe për të ndihmuar edhe Kosovën ndaj Sllovakisë, me një formë të lartë, që i duhet yllit kosovar. /Telegrafi/












































