LAJMI I FUNDIT:

A do ta merr rastin e Sopotit Prokuroria Speciale Publike?

Prokuroria Publike themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka kërkuar nga Prokuroria Speciale të merr në kompetencë rastin e Sopotit. Këtë e deklaroi avokati Naser Raufi pas seancës së sotme në këtë rast. Avokati Naser Raufi tha se kjo prokurori tani më ka paraqitur edhe kërkesën me shkrim në adresë të Prokurorisë speciale, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Sot ne morëm një informatë të re nga ana e prokurorisë së krimit të organizuar, pra është rasti i parë rasti i Sopotit ku vetë prokuroria e krimit të rëndë ka kërkuar që kompetencën ta marrë prokuroria speciale. Pra, kemi dhe kërkesë me shkrim nga ana e prokurorisë e krimit të organizuar deri tek prokuroria speciale që ti marrë kompetencat e këtij rasti. Është rasti i parë që kur ekziston kjo prokurori dhe unë nuk shohë arsye pse Prokuroria Speciale deri më tani nuk është involvuar në këtë rast”, deklaroi Naser Raufi, Avokat.


Por, nga Prokuroria Publike themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit mohojnë deklaratën e avokatit Raufi. Në një përgjigje me shkrim për Alsat-M lidhur me pretendimin e avokatit thuhet se rasti Sopoti vazhdon të jetë në kompetencë të saj.

“Informata me të cilën dispononi nuk është e vërtetë. Për rastin konkret, kompetentë është Prokuroria Publike themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, njoftuan nga Prokuroria Publike themelore për ndjekjen e krimit të organizuar.

Rasti i Sopotit është përmendur edhe në bisedat e përgjuara telefonike mes Gordana Jankullovksës dhe Sasho Mijallovit të cilët pranojnë pafajësinë e sopotasve.

Biseda e tillë mes zyrtarëve ka bërë që pala mbrojtjëse në vazhdimësi të kërkoj nga prokuroria speciale që të merr në këtë rast nga Prokuroria Publike themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, nga Prokuroria Speciale nuk janë deklaruar nëse do të kërkojnë marrjrm e këtij raste. Ende nuk ka përgjigje edhe për atë nëse nëse në adresë të tyre ka arritur ndonjë kërkesë siç pretendon pala mbrojtëse.

Ndërkohë të akuzuarit për këtë rast edhe një herë kërkuan mbylljen e këtij procesi gjyqësor dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.

“Gjashtë vjet po bëhen nëpër gjykata, Zoti mos e sprtovoft asnjë se me dredhari dhe tradhtarin nuk ka me pa bë asgjë me të marr dhe as nuk të lëshon dhe as nuk të mban, ma keq nuk ka, hyp se të vrava zbrit se të vrava”, tha Sulejman Suljemani, i akuzuar në rastin “Sopot”.

”Ma mirë të kishim qenë në burg se me problem. Çdo dy javë duhet të paraqitemi në gjykatën e Kumanovë çdo muaj në Shkup, edhe nuk përfundon ky rast, unë nuk e dij pse nuk përfundon ky rast. Ministri i drejtësisë duhet të merr masa shumë të rrepta me na liruar se ne jemi të pafajshëm, nuk e dijë pse na maltretojnë kaq shumë”, u shpreh Shaqir Sulejmani, i akuzuar në rastin “Sopot”.

Për këtë rast janë të akuzuar 11 banorë të fshatit Sopot, të cilët u dënuan me mbi 150 vite burg./Telegrafi/