LAJMI I FUNDIT:

Osmani takoi zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të ShBA-ve: Heqja e masave nga BE-ja mundëson rifillimin konstruktiv të dialogut

Osmani takoi zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të ShBA-ve: Heqja e masave nga BE-ja mundëson rifillimin konstruktiv të dialogut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një takim me zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer.

Sipas Osmanit në kohën kur siguria në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian po sfidohet, roli i SHBA-ve është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

Në këtë kontekst, Osmani theksoi se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet.


“Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Prandaj, sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE është në funksion të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Osmani tha se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë.

Sipas saj, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.

“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-ve, është përcaktues në  dialog”, ka theksuar presidentja Osmani. /Telegrafi/