Një hajdut serial është dënuar me një vit burg pasi vodhi mallra në vlerë prej 107 mijë paundësh (rreth 125 mijë euro) nga rrjeti i farmacive Boots.

Liam Hutchinson, 32 vjeç, me banim të paqëndrueshëm, u shpall fajtor në Gjykatën e Magjistraturës Westminster për 99 raste vjedhjeje të kryera mes muajit maj dhe gusht 2025.


Përveç burgut, atij iu vendos edhe një urdhër sjelljeje kriminale, që e ndalon të hyjë në çdo dyqan të Boots në Mbretërinë e Bashkuar për 10 vjet, si dhe në zonën Kensington dhe Chelsea për pesë vjet.

Policia Metropolitane tha se Hutchinson shpesh targetonte pajisje rroje dhe pajisje elektrike, duke shkaktuar humbje të mëdha financiare.

Përfaqësuesit e Boots thanë se kompania po investon ndjeshëm në masa sigurie për të mbrojtur klientët dhe stafin.

Autoritetet londineze theksuan se rritja e zgjidhjes së rasteve të vjedhjeve është prioritet, me mbi 160% më shumë raste të zbardhura krahasuar me vitin e kaluar. /Telegrafi/