89’-shi e nis me spektakël

Mitrovicasit gjatë tërë ndeshjes kanë qenë dukshëm më të mirë se kundërshtarët. Drilon Musaj e hapi rezultatin menjëherë në minutën e 9-të, teksa rezultatin e pjesës së parë e vulosi Kastriot Rexha(29’).
Në pjesën e dytë xehetarët vazhduan me tempon e shpejtë dhe e kërkonin golin e tretë, të cilin ua dhuroi lojtari kundërshtar, Vlerësim Istogu, i cili shënoi autogol (68’).
Ndërsa, për ta përmbyllur këtë ndeshje u përkujdes Fetim Kasapi i cili shënoi golin e parë për këtë edicion dhe të katërtin për skuadrën e tij në minutën e 77-të.
Me këtë fitore, Trepça ’89 i ka dërguar një sinjal të fortë të gjitha skuadrave në Superligë se këtë vit do të jetë kandidat kryesorë për titull. /Telegrafi/

Nga
Telegrafi
16/08/2013



















































