LAJMI I FUNDIT:

79-vjetori i gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, pelegrinazh në Varrezat Monumentale në Konispol

79-vjetori i gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, pelegrinazh në Varrezat Monumentale në Konispol

79-vjetori i gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë është përkujtuar me anë të një pelegrinazhi në varrezat e Kllogjerit në Konsipol, të organizuar nga Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Shoqata Patriotike “Çamëria”.

Shqiptarë të Çamërisë, por edhe qytetarë të tjerë ishin të pranishëm në Varrezat Monumentale të Kllogjerit, në vendin ku humbën jetën më shumë se 2,900 çamë, të cilët u larguan me dhunë nga trojet e tyre.


Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, i pranishëm në këtë pelegrinazh tha se çamët do të luftojnë për të drejtat e tyre. Ai komentoi edhe çështjen e Kosovës.

Në hyrje të varrezave monumentale është vendosur pllaka memoriale e varrezave Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” Kllogjer.

Këto varreza u ndërtuan në vitet 2012-2013 në një hapësirë prej 12,000 m2 e cila për 68 vjet ishte e lënë e shkretë.

Nga të pranishmit në ceremoni u vendosën lule e kurora me lule tek memoriali.

Çamëria është një krahinë gjeografike dhe etnografike në pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve, që shtrihet përgjatë bregdetit të Detit Jon dhe qendrat kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Lura, Margëllëçi, Arta, Paramithia, Parga dhe Preveza. Emri Çamëri e çam lidhet me emrin antik të lumit Thyamis (Thiamis), sot Kalama.

Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), Çamëria ka qenë e banuar që në antikitet nga fiset ilire, ndërsa në periudhën osmane njihet si pjesë e Vilajetit të Janinës deri në vitin 1912.

Me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913, pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën disa fshatra me popullsi muslimane dhe ortodokse dhe pikërisht pas këtij vendimi do të fillonte tragjedia për popullatën çame.

Popullsia çame për disa dekada u përndoq dhe masakrua, me masakra të cilat filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre, ndërkohë që sot ende kjo plagë është e hapur.

Gjenocidi grek ndaj popullsisë çame është i dokumentuar në dokumente arkivore të disa arkivave të vendeve evropiane, por edhe rrëfehet ende në ditët e sotme nga shumë shqiptarë të Çamërisë që e kanë përjetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të masakrave, ku edhe vetë historianë çamë kanë dokumentuar dhe rrëfyer gjenocidin e egër ndaj tyre.

Vetë shqiptarët e Çamërisë që kanë përjetuar gjenocidin, ende në ditët e sotme i kanë të freskëta masakrat, të cilat sipas tyre nuk kursyen as fëmijët dhe as gratë shtatzëna. U masakruan me armë të ftohta, me varje, zjarr, ndërsa bilancin e viktimave e rënduan edhe vdekjet nga kushtet e këqija të jetesës, uria dhe vështirësitë gjatë shpërnguljes.

Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.

Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë. Për të ndihmuar refugjatët çamë, u angazhuan edhe institucionet ndërkombëtare, duke ngritur kampe në Shqipëri, siç ishte kampi në Kavajë.

Të ndodhur përballë gjenocidit, shqiptarët e Çamërisë u larguan nga vatrat e tyre, duke u vendosur kryesisht në Shqipëri, dhe vende të tjera, ndërsa një numër i madh i pjesëtarëve të këtij komunitet ndërtuan jetën e tyre në emigrim në disa shtete të botës, si në Turqi, Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Itali dhe disa vende të tjera evropiane.

Shqiptarët e Çamërisë pas gjenocidit u vendosën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar që nga jugu i vendit, si në Sarandë, Konispol, Fier, Lushnje, pastaj në Shqipërinë e Mesme, Tiranë, Elbasan dhe Kavajë.

Persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk përfundoi me gjenocidin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri pjesëtarët e këtij komuniteti u përndoqën dhe u dënuan për motive të ndryshme, përfshirë edhe ato politike.

Organizatat dhe partitë që mbrojnë të drejtat e popullsisë çame, por edhe dokumentet e ndryshme arkivore të shtetit shqiptar tregojnë për persekutimin e pjesëtarëve të komunitetit çam nga regjimi komunist, ku qindra familje të shqiptarëve të Çamërisë janë përndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike dhe dhjetëra personalitete me origjinë çame janë ekzekutuar. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Kalo në kategori