LAJMI I FUNDIT:

74 policë të rinj nisin punën në veri, 45 prej tyre janë serbë

74 policë të rinj nisin punën në veri, 45 prej tyre janë serbë
Foto: Arkiv/Ilustrim

74 policë të rinj nga komunitetet në Kosovë kanë filluar punën në veri të Kosovës, gjersa prej tyre 45 janë nga komuniteti serbë.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.


Sipas tij, pjesëtarët e rinj të policisë janë në fazën e trajnimit të tyre.

“74 policë të rinj nga komunitetet kanë ardh në veri, prej tyre 45 janë nga komuniteti serbë. Ndërsa të tjerët janë nga komunitetet tjera, romë, ashkali, egjiptas, boshnjak, turq. Për momentin është faza e trajnimit të tyre të brendshëm, e trajnimi i tyre përfshin patrullë, trafik, hetime, etj”, ka thënë ai.

​Fillojnë kërcënimet ndaj policëve serbë që sapo kanë filluar shërbimin në Policinë e Kosovës
Lexo po ashtu ​Fillojnë kërcënimet ndaj policëve serbë që sapo kanë filluar shërbimin në Policinë e Kosovës

Tutje Elshani u shpreh se për momentin pjesëtarët e rinj ende nuk kanë dalë në terren.

“Njëherë për njëherë ende s’kanë dal në terren”, ka thënë Elshani.

Po ashtu, sot u raportua se në rrjetet sociale serbe kanë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës.

Ndryshe, policët e komunitetit serb ishin larguar nga ky institucion i sigurisë në fund të vitit të kaluar. Lidhur me largimin nga Policia e Kosovës ishin deklaruar edhe nga Lista serbe.

“…Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ishin shprehur nga Lista serbe.

Pas këtyre veprimeve, Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas. /Telegrafi/