70 gra nga zonat rurale të Skenderajt përfundojnë me sukses trajnimet për fuqizim ekonomik

70 gra nga zonat rurale të Skenderajt kanë përfunduar me sukses ciklin e trajnimeve për letërsi financiare dhe fuqizim ekonomik.
Organizata jo-qeveritare “UN Women Kosovo” ka njoftuar se pjesëmarrëse kishte edhe nga Komuna e Istogut dhe Mitrovicës së Jugut, shkruan Telegrafi.
“Jemi të lumtur të ju njoftojmë se, me 70 gra nga zonat rurale të Komunës së Skenderajt, kemi përfunduar me sukses ciklin e trajnimeve për Letërsi Financiare dhe Fuqizim Ekonomik, ku përfshinë edhe pjesëmarrës nga komunat e Istogut dhe Mitrovicës së Jugut”, thuhet në njoftim.
Në fjalën e tij hyrëse, kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka shprehur përkushtimin e tij për hartimin e politikave specifike dhe përkrahjen e zhvillimit të grave në fshat.
Njësoj dhe Arsim Aziri, përfaqësues i @TAG, u zotua për mbështetje të vazhdueshme për gratë të cilat po kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin e komuniteteve të tyre.
Trajnimet dy ditore, në kuadër të projektit "Promovimi i Fuqizimit të Grave Rurale në Kosovë" ka ofruar module gjithëpërfshirëse që kanë për qëllim rritjen e njohurive të pjesëmarrësve në buxhetim, kursim, qasjen në shërbime financiare, ndërmarrësi dhe zhvillimin e agrobiznesit. /Telegrafi/


















































