LAJMI I FUNDIT:

Gjashtë muaj burg dhe tetë mijë euro gjobë ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi

Gjashtë muaj burg dhe tetë mijë euro gjobë ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me tetë mijë euro gjobë dhe burgim prej gjashtë muajsh ish-drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.

I njëjti është shpallur fajtor për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.


“Konform nenit 44 të KPP-së, të akuzuarit  L.K dënimi me burgim mund  ti zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 3.000 euro, në dënimin e shqiptuar do të llogaritet dhe koha e kaluar ne paraburgim nga data 01.03.2021 deri me datë 30.03.2021 dhe arrest shtëpiak nga data 29.05.2021 deri me datë 29.07.2021”, thuhet në komunikatën për media.

Gjykata hedh poshtë dy pika të aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, dhe shpall të papranueshme si provë CD-në
Lexo po ashtu Gjykata hedh poshtë dy pika të aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, dhe shpall të papranueshme si provë CD-në

Ndërsa, Ardian Krasniqi është dënuar me dënim unik prej katër vite e tetë muaj burgim dhe gjashtë mijë euro gjobë. E akuzuara Marigonë Berisha është dënuar me pesë mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda është liruar nga akuzat.

Krasniqi është shpallur fajtor veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Në dënimin e shqiptuar me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim 03.03.2021 deri me dt.30.03.2021 dhe prej dt.05.05.2021 deri me dt.29.07.2021, si dhe në arrest shtëpiak prej dt.30.03.2021 deri me dt.05.05.2021. I akuzuari A.K lirohet nga akuza se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kishin për të kryer veprën penale Ushtrimi i Ndikimit”.

Ndërsa, e akuzuara Berisha është shpallur fajtore për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, e në të cilin dënim e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak prej datës 01.03.2021 deri më 31.03.2021.

“E akuzuara M.B lirohet nga akuza për veprën penale Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale sipas nenit 333, par.1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Kurse, Doda është liruar nga akuza për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi që nuk është provuar nga gjykata se e njëjta ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.

“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/