LAJMI I FUNDIT:

6% e kredive në Itali të destinuara për të huajt

6% e kredive në Itali të destinuara për të huajt

Një analizë e kredive të dhëna në Itali për periudhën 1 janar 2016 – 30 qershor 2017, me një kampion prej mbi 3500 praktikash të mbyllura, ka zbuluar se 6% e të gjitha kredive janë të destinuara për shtetasit e huaj.

Shuma mesatare e dhënë për kredimarrësit e huaj ishte prej 109.800 eurosh dhe shërben për të mbuluar 68% të vlerës së pasurisë së paluajtshme.


Në listën e kombësive përfituese kryesojnë shtetasit nga Rumania me 15.1% të kredive për të huajt, të cilët kanë përfituar mesatarisht 105.400 euro, e barabartë me 72% të vlerës së shtëpisë.

Shqiptarët renditen të dytët me 11.9% të kredive, ndjekur nga Zvicra (11.4%), Moldavia (6.8%) dhe Gjermania (5.9%).

Për qytetarët shqiptarë, shifra mesatare e përfituar është rreth 87.200 euro dhe përbën 76% të vlerës së shtëpisë.

Vetëm 25.6% e kredive të miratuara shkuan drejt qytetarëve të shteteve jo-anëtare. Britanikët ishin ata që përfituan nga kredi me vlera më të mëdha, mesatarisht 193.800 euro.

Në Itali ka mbi 5 milionë emigrantë të huaj, nga ku 1.1 milionë janë rumunë dhe 448 mijë janë shqiptarë. Në renditjen e kombësive kryesore bie në sy mungesa e dy komuniteteve të konsoliduara në territorin e Italisë: asaj kineze dhe asaj marokene.

Shqiptarët duket se janë të konsoliduar ekonomikisht në këtë vend, jo vetëm në aspektin personal, pasi ata kryesojnë edhe në listën e sipërmarrjeve të huaja, me disa dhjetëra mijëra biznese. /Telegrafi/