LAJMI I FUNDIT:

54 % e grave të punësuara janë në sektorin privat

54 % e grave  të punësuara janë në sektorin privat

Instituti Riinvest ka publikuar raportin “Gratë në tregun e punës”, sipas të cilit 54 për qind të grave janë të punësuara në sektorin privat ndërsa mbi 40 për qind janë të punësuar në sektorin publik.

Drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani ka thënë se ka pabarazi në tregun e punës në mes grave dhe burrave, ku femrat më shumë janë punëmarrëse sesa punëdhënëse në krahasim me burrat.


“Derisa gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë të Kosovës, fuqizimi dhe pjesëmarrja e tyre në tregun e punës nuk është proporcional, Të dhënat tona sugjerojnë se gratë janë të nën përfaqësuara në treg qofshin si punëdhënëse apo si punëmarrëse edhe pse realiteti i punësimit ne të gjithë e dimë që është jo i mirë për të dy gjinitë, megjithatë gratë rezultojnë të jenë më keq në këtë aspekt në Kosovë. Kur i krahasojmë aktivitetet e grave me të burrave në tregun e punës rezulton se 78 për qind e të punësuarve gra janë punëtore, pra punëmarrëse jo punëdhënëse, përderisa ky proporcion tek burrat është 66 për qind pra është shumë më i madh proporcioni i punëmarrësve ose pjesëmarrjes së punësuarve burra që janë edhe punëdhënës”, tha ai.

Sipas Hashanit Instituti Riinvest në bashkëpunim me USAID-in janë angazhuar në forumin ekonomik të grave i cili ka për qëllim hartimin e politikave publike që mundësojnë përmirësimin e pozitës së grave në biznes.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se gjetjet e këtij raporti fatkeqësisht vërtetojnë se gratë nuk trajtohet barabartë me meshkujt dhe përballen me barriera të shumta ligjore e strukturore.

“Fatkeqësisht gruaja kosovare ende nuk shihet e nuk trajtohet si e barabartë me kolegët e saj meshkuj. Në punë ajo ende përballet me barriera të shumta ligjore, strukturore dhe kulturore. Pengesat ligjore për pjesëmarrjen e grave në ekonomi përfshinë kufizimet në lirinë e tyre, në të drejtat mbi pronën dhe trashëgiminë, mungesën e qasjes në shërbime financiare dhe mungesën e mbrojtjes adekuate ligjore nga dhuna. Ka ende shumë raste kur gratë që në intervistën e parë për punë pyeten rreth statusit dhe planeve të tyre familjare, shpesh herë punëdhënësit preferojnë të punësojnë një burrë karshi një gruaje me përgatitje të njëjtë profesionale vetëm se kjo e fundit mund të lind dhe të bëhet nënë dhe të kërkoj menjëherë pushimin e lehonisë“, tha ajo.

Ndërsa , Miranda Jolicoeur, zëvendësdrejtore në Zyrën për Demokraci dhe Qeverisje në USAID tha se Forumi Ekonomik i Gruas do të ndihmojë gratë e Kosovës të flasin me një zë të unifikuar për të ndikuar në ndryshime.

Nga raporti “Gratë në tregun e punës” u tha se 54 për qind të grave janë të punësuara në sektorin privat ndërsa mbi 40 për qind janë të punësuar në sektorin publik, dhe se 30 për qind e tyre të punësuara në sektorin privat nuk kanë kontrata të punës, ndërsa në sektorin publik 23 për qind janë me kontratë me afat.

Sa i përket barrierave në tregun e punës, 36 për qind e grave besojnë se niveli i ulët i pagës është barrier e madhe ndërkaq 15 për qind thonë se barriera kryesore është edhe orari i punës.

Ndryshe për këtë raport janë anketuar gjithsej 600 gra në rajone të ndryshme të Kosovës duke përfshirë edhe Mitrovicën Veriore. /Telegrafi/