LAJMI I FUNDIT:

30 ditë paraburgim zyrtarit policor në Gjilan për posedim të kokainës

30 ditë paraburgim zyrtarit policor në Gjilan për posedim të kokainës
Foto: Arkiv/Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve A. H. dhe L. H.

Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me dashje në bashkëkryerje, kanë poseduar pa autorizim substancë narkotike të llojit “kokainë”, të njëjtit me marrëveshje paraprake në mes veti substancën narkotike i’a kanë shitur të pandehurit F. S., i cili ishte fshehur në një motel së bashku me të pandehurit e tjerë, të cilët gjenden në arrati.


Po ashtu, të pandehurit A. H. (zyrtar policor) dhe L. H. me dashje në bashkëkryerje në kundërshtim me ligjin për armët kanë shitur një armë zjarri të pandehurit F. S.

“Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën veprat penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe veprën penale importi, eksporti furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”,  thuhet në njoftim.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marr për bazë këto që u thanë më lartë, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Arrestohen dy persona në Gjilan për posedim dhe shitje të kokainës – në mesin e tyre një zyrtar policor
Lexo po ashtu Arrestohen dy persona në Gjilan për posedim dhe shitje të kokainës – në mesin e tyre një zyrtar policor

Ndryshe, të dielën Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se hetuesit e IPK-së në Gjilan kanë arrestuar një punonjës të policisë (staf civil) dhe një qytetar me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët pas pranimit të disa informacioneve përmes rrugëve operative – hetimore me dyshimin së në këtë rast ishte i përfshirë edhe një punonjës i policisë respektivisht një zyrtar i stafit civil i punësuar në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.

Hetuesit e IPK-së në këtë rast kanë aplikuar metoda dhe teknika të hetimit  në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur 0.6 gram substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe një sasi e konsiderueshme e pakove të cigareve me të cilat dyshohet se është bërë pagesa e substancës së dyshuar narkotike”, thuhej në njoftim. /Telegrafi/