LAJMI I FUNDIT:

27 ankesa të aprovuara, 66,900 euro gjoba të shqiptuara ndaj partive që garojnë në Zgjedhjet Lokale

27 ankesa të aprovuara, 66,900 euro gjoba të shqiptuara ndaj partive që garojnë në Zgjedhjet Lokale

Shuma e përgjithshme e gjobave të shqiptuara deri të premten paradite nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj partive që garojnë në Zgjedhjet Lokale të 22 si rezultat i ankesave të parashtruara nga BIRN dhe Internews Kosova – I/KS është 66 mijë e 900 euro.

Monitoruesit e BIRN dhe I/KS kanë përcjellë me vëmendje fushatën e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit, prej nga kanë evidentuar deri më sot, 56 raste të shkeljeve të pretenduara, 27 prej të cilave janë aprovuar si të bazuara nga PZAP.


Subjekti politik që ka numrin më të madh të shkeljeve të gjetura nga PZAP është Lidhja Demokratike e Kosovës që ka gjithsej 8 gjoba të shqiptuara me një total prej 18,850 euro. LDK ndiqet nga Partia Demokratike e Kosovës ndaj të cilës janë shqiptuar 6 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 14,850 euro.

Shumë të përafërt me PDK është gjobitur edhe partia që garon për herë të parë në këto zgjedhje, Alternativa, ndaj së cilës janë shqiptuar 4 gjoba në vlerë prej 11,300 euro.

Gjoba i janë shqiptuar edhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK dhe Aleancës Kosova e Re – AKR. Ndaj AAK-së janë shqiptuar 3 gjoba në shumë totale 8,500 euro ndërsa me 8,100 euro si rezultat i shkeljeve të konstatuara nga PZAP në spotet e kandidatit të AKR-së për Prishtinën, Selim Pacolli.

Pa gjoba nuk kanë shpëtuar as Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën. PZAP ka gjetur shkelje në veprimet e fushatës së kandidatit të VV-së për Prishtinën, Shpend Ahmeti në dy raste dhe i janë shqiptuar 3,500 euro gjoba, ndërsa një spot i kandidatit të Nismës për Kosovës për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, i ka kushtuar me 1,800 euro gjobë.

Pjesa dërmuese e shkeljeve të bëra kanë konsistuar në përfshirjen e personave nën 18 vjeç në fushatë, ku për këtë lloj shkelje janë shqiptuar gjithsej 47,850 euro. Është për t’u përmendur fakti se PZAP, për herë të parë qëkur organizohen zgjedhjet në Kosovë, duke vendosur sipas ankesave të parashtruara nga BIRN dhe I/KS, ka ndëshkuar partitë politike për përdorimin e fëmijëve në aktivitete zgjedhore.

Për përfshirje aktive të fëmijëve në fushatë PZAP ka gjobitur partitë politike në 18 raste. Ndër këto raste, gjoba janë shqiptuar ndaj kandidates së Alternativës për Gjakovën, Mimoza Kusari në 3 raste në shumë të përgjithshme prej 7,700 euro.

Prezenca e personave nën 18 vjeç, Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka kushtuar me gjobë të vlerë të përgjithshme prej 17,350 euro. Kandidati i LDK-së për Podujevën, Agim Veliu është gjobitur dy herë për të njëjtën shkelje me plot 6,200 euro. Për këtë shkelje PZAP ka gjobitur edhe kandidatin e LDK-së për Ferizaj, Muharrem Svarqa me 3,100 euro, kandidatin e LDK-së për Fushë Kosovë, Burim Berisha me 2,000 euro, kandidatin e LDK-së për Gjilanin, Lutfi Haziri me 3,050 euro dhe kandidatin e LDK-së për Novobërdën, Bajrush Ymeri me 3,000 euro.

Në katër raste për përfshirje të fëmijëve në fushatë është gjobitur edhe Partia Demokratike e Kosovës. 3,000 euro i ka kushtuar kësaj partie një spot i publikuar në “Facebook”, nga Kadri Veseli, në të cilin shfaqen fëmijë. Me 2,500 euro është dënuar edhe dega e kësaj partie në Ferizaj për disa fotografi të fëmijëve me veshje të PDK-së.

AAK, ndërkaq, është dënuar me gjobë në dy raste të shkeljeve me përfshirje të fëmijëve në fushatë me një total prej 6,500 euro gjoba. Një spot i shpërndarë në rrjetet sociale i AAK-së, në cilën shihet edhe një person i mitur i ka kushtuar me 3,000 euro gjobë.

Spoti i kandidatit të Nismës për Kosovë për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, në të cilin janë përfshirë edhe persona nën 18 ka rezultuar me gjobë prej 1,800 euro. /kallxo.com/