LAJMI I FUNDIT:

21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura për Trustin dorëzohen në Kuvend

21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura për Trustin dorëzohen në Kuvend

Në Kuvendin e Kosovës sot janë dorëzuar 21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura nga organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit.

Iniciatori i këtij peticioni, Adnan Jashari ka thënë se janë duke pritur që Kuvendi të votoj pro Projektligjit të Trustit.


“Kemi dërguar 21 mijë e 398 nënshkrime në Kuvendin e Kosovës për nismën legjislative që ndryshon formën e sistemit pensional dhe lejon tërheqjen deri 30 për qind të Trustit… Projektligji është i njëjtë sikur herën e kaluar që lejon tërheqjen kursimeve nga 10 deri në 30 për qind. Pasi kërkesa është drejtpërdrejt prej qytetarëve dhe jo prej ndonjë partie opozitare. Ne presim që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos hezitojnë dhe herën e ardhshme të votojnë pro projektligjit që lejon deri 30 për qind të Trustit”, u shpreh ai.

Jashari shpreson se Qeveria dhe Kuvendi mos t’i vonojnë procedurat dhe të shkohet shpejt në votim.

“Gjithashtu ne shpresojmë që Qeveria dhe Kuvendi mos t’i vonojnë procedurat dhe të shkohet shpejt, pasi kërkesa është urgjente, për shkak të gjendjes së rënduar me çmime të larta dhe ne presim që kjo kërkesë e jona të shkojë sa më parë në Kuvend për votim”, ka thënë Jashari.

Peticioni për tërheqjen e Trustit, Projektligji s'mund të hidhet në votim para shtatorit
Lexo po ashtu Peticioni për tërheqjen e Trustit, Projektligji s'mund të hidhet në votim para shtatorit

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se kjo është kërkesë e qytetarëve, e cila tregon nevojën që t’iu mundësohet qytetarëve tërheqja e deri 30 për qind e Trustit, për shkak të krizës ekonomike.

“Kjo është kërkese dhe iniciativë e qytetarëve… Është fascionante se si këta vullnetarë dhe plot të tjerë anekënd Kosovës për pak ditë kanë arritur të grumbullojnë numër kaq të madh të nënshkrimeve. Nuk e ka bërë asnjë subjekt politik deri sot, sa herë që kanë dalë për të mbledhur peticione për çështje të caktuara, dhe kjo tregon rëndësinë e nevojës që t’iu mundësohet qytetarëve tërheqja e deri 30 për qind e Trustit, për shkak të krizës ekonomike…”, ka thënë Haxhiu.

Ai po ashtu tha se sot iniciatorët do ta takojnë kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën.

“Projektligji do t’i dorëzohet në mënyrë solemne kryetarit të Kuvendit dhe iniciatorët do të takojnë kryetarin e Kuvendit sot në ora 13:00 dhe pastaj të gjitha këto nënshkrime sipas ligjit brenda 15 ditëve duhet të verifikohen nga Komisioni zgjedhor për vërtetësinë e tyre dhe origjinalitetin, pasi që të jenë plotësuar kushtet, pra janë më shumë se 10 mijë nënshkrime, projektligji vihet në Kuvend, kalon në Kryesi dhe shkon me mendim në Qeveri dhe pastaj kthehet në Kuvend”, tha ai.

Sipas tij, nuk duhet të ketë shtyrje të këtij projektligji dhe se i njëjti duhet që sa më shpejt të shkojë për votim në seancën e Kuvendit, me qëllim të mbështetjes së qytetarëve në këtë kohë krize.

Edhe, Nexhat Llumica, nga sindikata e re e KEK-ut, tha se duke e ditur krizën aktuale që po mbretëron në vend, deputetët duhet të dëgjojnë zërin e popullit dhe të jenë pro këtij projektligji.

“E dimë kohën në të cilën jemi, ngritjen e inflacionit, ngritjen e çmimeve, e dimë që po deklarohet ngritje ekonomike, por nuk ka ngritje të pagave dhe realisht gjendja e qytetareve është e rëndë. Ne e dimë që ky kursim është i joni dhe jo i Qeverisë, dhe për këtë arsye ne duam t’i shfrytëzojmë këto mjete në ditët e vështira të qytetarëve e jo atëherë kur nuk kemi nevoja të mëdha, aq sa janë urgjente sot”, tha ai.

Ndryshe, Projektligji për Trustin është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të 23 qershorit, por nuk kaloi pasi pozita votoi kundër.

Qeveria po e kundërshton tërheqjen e mjeteve nga Trusti, pasi sipas saj, ato janë për moshën e pleqërisë.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti pati nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe pati zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Nga të dhënat e Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427 mijë e 371 kontribuues. /Telegrafi/