Kryesia e Bordit Industrial të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) ka reaguar ndaj mospërfshirjes së këtij institucioni në Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, duke kërkuar që universiteti të mos lihet jashtë financimit shtetëror.

Në reagimin e saj, Kryesia e Bordit Industrial e cilëson këtë vendim si të dëmshëm jo vetëm për universitetin, por edhe për modelin e bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit privat, i cili, sipas tyre, ka kontribuar në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.


“Ky vendim nuk prek vetëm një institucion të arsimit të lartë, por dëmton një model të dëshmuar bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe sektorit privat, model i cili për vite me radhë ka prodhuar kuadro profesionale të gatshme për tregun e punës dhe ka kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.

Bordi thekson se komuniteti i biznesit ka qenë partner i pandashëm i USHAF-it që nga themelimi i tij, duke kontribuar në hartimin e kurrikulave, proceset e akreditimit, zhvillimin e laboratorëve modernë dhe përgatitjen praktike të studentëve në fusha si përpunimi i drurit, metaleve, energjia e ripërtëritshme dhe dizajni.



Sipas reagimit, rezultatet e këtij bashkëpunimi janë reflektuar në punësimin e të diplomuarve në kompani vendore dhe ndërkombëtare, si dhe në krijimin e bizneseve të reja nga ish-studentët e universitetit.

Kryesia e Bordit Industrial, e cila përfaqëson mbi 120 biznese partnere të universitetit, vlerëson se mungesa e mbështetjes financiare rrezikon të ndërpresë një model të suksesshëm të arsimit të orientuar drejt praktikës.

Për këtë arsye, ajo i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të rishqyrtojnë Projektligjin për Buxhetin dhe të sigurojnë mbështetjen e nevojshme financiare për USHAF-in.

“Mbështetja e USHAF-it nuk është vetëm mbështetje për një universitet. Është mbështetje për arsimin e orientuar drejt praktikës, për industrinë vendore, për zhvillimin ekonomik, për punësimin e të rinjve dhe për të ardhmen e Kosovës”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se edhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj kishte reaguar ditë më parë lidhur me mospërfshirjen e tij në Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/