Komuna e Hanit të Elezit kërkon që t'i ndahet buxhet UShA-it në Ferizaj

Komuna e Hanit të Elezit ka reaguar ndaj mungesës së mbështetjes buxhetore për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në planifikimet buxhetore për vitin 2027, duke e cilësuar këtë një shqetësim për të ardhmen e institucionit.
Në reagimin e saj, Komuna vlerëson se universiteti ka rëndësi të veçantë jo vetëm për Ferizajn, por edhe për komunat e rajonit, pasi ndër vite ka qenë institucion arsimor edhe për studentët nga Hani i Elezit dhe zonat përreth.
Sipas Komunës, përmes programeve të tij, Universiteti i Shkencave të Aplikuara ka kontribuar në përgatitjen e profesionistëve të rinj dhe në lidhjen e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës.
Komuna e Hanit të Elezit shpreh shqetësimin se mosparashikimi i mjeteve financiare për funksionimin e universitetit ngre pikëpyetje serioze për të ardhmen e tij dhe ndikon drejtpërdrejt te studentët, stafi akademik dhe zhvillimi i rajonit.
Përmes këtij reagimi, Komuna u ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të rishikojnë planifikimet buxhetore dhe të sigurojnë financimin e nevojshëm për vazhdimin e veprimtarisë së Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
“Ruajtja dhe fuqizimi i institucioneve të arsimit të lartë është përgjegjësi e përbashkët. Investimi në universitete nuk është vetëm mbështetje për studentët e sotëm, por edhe garanci për zhvillimin ekonomik, profesional dhe shoqëror të vendit në të ardhmen”, thuhet tutje në reagimin e Komunës. /Telegrafi/





































