eksperti-banner

I takoi gjeneratave të cilat e kanë pasur të ndaluar rreptësishtë të përmendin apo ta festojnë ketë datë historike për tërë popullin Shqiptarë në të gjitha territoret shqipfolëse, më kujtohet kur policia sllave nga frika e ndonjë festimi privat të kësaj date na largonte nga vendtubimet apo kafenetë e qyteteve kryesore të Kosovës.

Sot ishte përvjetori i 131 i Kuvendit të Lidhja Shqiptare të Prizrenit,as që u përmend kjo datë historike e popullit shqiptarë në të dy anët e kufirit. Harresa e historisë na është hakmarrë me shekuj e si duket dhe do të na hakmerret edhe në të ardhmen. Si mundet të “harrohet’ kjo datë ku burrat e mëdhenj të kombit si ideologu dhe organizatori kryesor i saj Abdyl Frashëri, kryekomandanti i forcave të armatosura Sylejman Vokshi, kryetari Ymer Prizreni dhe nënkryetari Shaip Spahiu u mblodhën në kuvendin gjithë kombëtar ku u vendosën themelet e rregullimit shtetëror shtetit të parë e të gjithë shqiptarëve.

Deri diku janë arsyetuar veprimet e sllavëve të jugut të cilët e pushtuan popullin shqiptar të Kosovës pas vitit 1912, ata i kishin “halë në sy” vendimet historike të Lidhjes dhe me të gjitha mjetet kanë tentuar të minimizojnë rëndësinë e unitetit gjithëshqiptar të kohës deri në vitin 1978 kur në mënyrë madhështore u festua ky përvjetorë së pari në Kosovë (Prizren,Gjakovë dhe Prishtinë) e pastaj në emër të “patriotizmit” edhe në Shqipëri (Tiranë). Menduam se historia po korrigjonte gabimet por pasoi perioda shume e vështirë e popullit të Kosovës posaçërisht në kohën e nacionalizmit ekstrem serbë e cila përfundoi me intervenimin ushtarak të NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Isha i zhgënjyer se si u manifestua vjet 130 vjetori i Lidhjes në Kosovën e pavarur, një organizim i zbehtë i cili kulmoi me një akademi solemne formale që vetëm emrin e kishte të tillë. Nga qëllimet progresive nuk desha të pranoi një realitet të ri i cili tërësisht e injoroi këtë datë të madhe të historisë e cila u kurorëzua me shpalljen e pavarësi të Kosovës në vitin 2008.

Sot në 131 vjetorin e Kuvendit të Lidhja Shqiptare të Prizrenit,nuk mundem të rri i qetë e të mos rikujtoi gjenerata të tëra që sakrifikuan shumë që në mënyrë të dinjitetshme së paku të festojmë datën ma të rëndësishme të popullit shqiptar në tërësi e posaçërisht të shqiptarëve të Kosovës të cilët gati një shekull u torturuan nga regjimi sllav e si po duket kjo ende do të vazhdoi në Kosovën e pavarur. Kurrsesi nuk po mundem me u pajtua me faktin se si jemi në gjendje të injorojmë dhe të harrojmë një datë shumë të rëndësishme të kombit shqiptar të cilën shumë popuj të Evropës vetëm do ta ëndërronin. Sinqerisht po i frikohem hakmarrjes së historisë pa marr parasysh interesat gjeostrategjike të fuqive të mëdha botërore.