ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Këtë vit do të fillojë vaksinimi me vaksinën HPV për djemtë, vaksinë kjo që parandalon disa lloje të kancerit. 

Kështu bëri të ditur në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Arben Viti ku ndër të tjera tha se ky vaksinim ka filluar vitin e kaluar tek vajzat, ku janë vaksinuar 10 mijë vajza.


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia /Foto: Ridvan Slivova/

“Sot është një ditë e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve dhe politikave shëndetësore. Ky është një hap thelbësor për parandalimin e sëmundjeve serioze. Ky virus shkakton shumë telashe dhe shumë lloje të kancerit. Në vitin e kaluar, miratuam përfshirjen e tri vaksinave të reja në kalendarin e fëmijëve. Nuk është një mundësi vetëm për vajzat, por edhe për djemtë për të parandaluar shumë sëmundje serioze. HPV është virus shumë i rrezikshëm dhe vaksinimi i djemve është një hap i rëndësishëm”, tha ai.

Ndër të tjera ministri theksoi se vaksinimi pa marrë parasysh gjininë është i rëndësishëm.

“Deri tani janë 10 mijë vajza nga grupi i synuar për t’u vaksinuar. Vaksinimi i të rinjve pa marr parasysh gjininë është i domosdoshëm”.

Ndërsa, drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku ka thënë se ky vaksinim është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen nga kanceri dhe sëmundje të tjera.

Drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku /Foto: Ridvan Slivova/

“Vitin e kaluar është bërë lansimi i imunizimit të vajzave 12 vjeçe kundër HPV. Vaksina kundër HPV-së është vaksinë e sigurt, dhe është mjet efikas për mbrojtjen nga kanceri dhe sëmundjet të tjera... Është e rëndësishme që të vazhdoj ky trend i mirë i imunizimit dhe t’i kemi të mbrojtur fëmijët tanë, e të sigurojmë një të ardhme të shëndetshme”, u shpreh Baraku.

Nga kjo konferencë për media u bë e ditur se vaksinimi i djemve nga mosha 11-12 (klasa VI) fillon në muajin shkurt të këtij viti në shkolla dhe institucione me vetëm një dozë. /Telegrafi/