Kjo vlen për skuadrën e Drenicës dhe trajnerin e saj Afrim Jashari, i cili nga momenti kur e ka marrë drejtimin e klubit, jo vetëm që nuk ka pësuar humbje, por nën drejtimin e tij, skuadra është ngjitur lart dhe pas stinorit vjeshtor gjendet në pozitën e katërt, që është sukses i cili nuk mbahet mend në këtë skuadër. Drenica pas një serie prej 12 ndeshjeve pa humbje ka lënë pas edhe skuadra më me nam në futbollin tonë siç janë Prishtina, Trepça, Besa, Trepça’89 etj.

Të gjitha këto sikur nuk mjaftojnë dhe këto ditë dëgjohen zëra se Jashari nuk do të jetë pjesë e Drenicës në stinorin pranveror. “Kryetrajneri Afrim Jashari ka pasur kontratë 6 mujore. Se a do të mbetet ende në skuadrën tonë, kjo do të dihet vetëm pas bisedimeve që do të zhvillohen me të gjatë javës së ardhshme. Nuk është përmendur largimi apo mbetja e tij në skuadër dhe kjo do të dihet vetëm pas kryerjes së bisedave me të.


Ne nuk jemi takuar ende dhe nuk janë të vërteta ato që po shkruhen se gjoja kryesia është takuar. Këtë do ta bëjmë javën tjetër kur edhe do të diskutohet edhe çështja e trajnerit”, tha drejtori sportiv i KF Drenica, Musa Prokshi, i cili bëri me dije se janë duke biseduar me Dukagjin Gashin e Qemal Elshanin në mënyrë që ata të vazhdojnë t’i mbrojnë ngjyrat kuqezi edhe në pranverë, ndërkohë që nga përforcimet tash për tash përmendet vetëm mbrojtësi Sead Miftari, i cili nuk ka gjetur hapësirë në skuadrën e Prishtinës.

Kryetrajnri Afrim Jashari nuk është fare në dijeni për bisedat që po zhvillohen me ndonjë futbollist, pasi nuk është kontaktuar fare me askënd, ndonëse ka bërë përpjekje që të ketë të paktën biseda telefonike me drejtuesit e klubit. “Nuk e di çka të them, pasi që nga përfundimi i stinorit vjeshtor, askush nuk ka kontaktuar fare me mua. Madje kam bërë përpjekje, por telefonat i kanë shkyçur dhe kontakti është i pamundshëm.

Unë me asnjë futbollist nuk kam biseduar dhe nuk di fare për përforcime të mundshme, e as për largime. Kjo situatë nuk është e mirë dhe është në të mirë të klubit që gjërat të definohen dhe nuk mundet një individ të vendosë për klubin pavarësisht se kush është ai e këtë nuk mund ta bëjë as trajneri”, thotë Jashari, i befasuar me rrjedhën e ngjarjeve, pas një stinori tejet të suksesshëm.

“Kur unë e kam marrë skuadrën në javën e 6-të, ajo kishte vetëm 3 pikë dhe ishte në gjendje shumë të vështirë. Sot pas stinorit vjeshtor, ne kemi 27 pikë, jemi renditur në pozitën e katërt dhe jemi skuadra më efikase në Superligë. Përveç kësaj jemi skuadra më e disiplinuar, kemi më së paku kartonë të verdhë e të kuq. Pyetini skuadrat tjera se si i kemi pritur dhe a ka pasur ndonjë telash në ndeshjet e tyre. Unë nuk di se çka është dashur të bëjmë më shumë apo çka nevojitet tjetër për t’u quajtur stinor i suksesshëm për skuadrën tonë”, theksoi numri një i bankinës së Drenicës, duke pohuar se “me drejtuesit e skuadrës nuk kam pasur kontratë, kam vetëm marrëveshje gojore”. /Zëri/Telegrafi/ 

telegrafi sport app