Doni Arifi ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në karrierën e tij pas largimit nga skuadra kampione e Finlandës, KuPS.

Mesfushori kosovar do ta vazhdojë karrierën në Gjermani, ku ka nënshkruar një kontratë afatgjate me Greuther Fürth, klub që garon në Bundesliga 2.


23-vjeçari vjen pas një viti fantastik, ku gjatë vitit 2025 zhvilloi plot 50 ndeshje në të gjitha garat me KuPS. Ai ishte një nga lojtarët kyç në sukseset e skuadrës, duke fituar titullin e kampionit në Finlandë dhe duke u dalluar edhe me paraqitje shumë të mira në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Pavarësisht interesimit dhe ofertave të shumta, Arifi ka zgjedhur Greuther Fürth, një klub që i ofron besim, hapësirë dhe mundësinë për të bërë një tjetër hap të madh në zhvillimin e tij profesional.

Mesfushori kosovar është transferuar si futbollist i lirë dhe është shprehur shumë i kënaqur me këtë lëvizje.

“Sigurisht që të vish në një vend të ri është diçka ndryshe, por mezi pres të nis aventurën në Bundesliga 2 dhe me ekipin tim të ri. Bisedat dhe përshtypjet e para ishin shumë pozitive dhe më bindën shpejt se tani është momenti i duhur për të bërë hapin drejt Gjermanisë".

"Dua të zbres menjëherë në fushë dhe të ndihmoj ekipin që të përgatitemi sa më mirë për gjysmën e dytë të sezonit”, deklaroi Arifi për faqen zyrtare të klubit. /Telegrafi/

telegrafi sport app