Zyrtare: Lindon Selahi transferohet te Widzew Lodz në Poloni

Mesfushori shqiptar Lindon Selahi është bërë me skuadër të re, pasi kontrata e tij me Rijekën ka përfunduar më 30 qershor.
Karrierën e tij ai do ta vazhdojë në kampionatin polak, duke u bashkuar me skuadrën e njohur Widzew Lodz.
Widzew ka fituar garën për nënshkrimin e Selahit përballë interesimit të madh nga Hajduku i Splitit, ndërsa në ekipin e ri ai do të gjejë edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë: Julian Shehun dhe Dion Gallapenin.
Pas prezantimit zyrtar, Selahi ka dhënë edhe deklaratat e para si lojtar i Widzew.
“Kisha nevojë për një sfidë të re dhe isha shumë i interesuar për idenë e ekipit që po krijohet këtu. E njoh shumë mirë edhe trajnerin, me të cilin kam punuar më parë dhe kemi folur shumë për Widzew. Së pari luajta kundër tij kur ai drejtonte Goricën, pastaj ishim bashkë në Rijeka. Patëm një bashkëpunim të mirë atje dhe një sezon të suksesshëm", tha mesfushori shqiptar.
“Në fushë jam një mesfushor qendror modern që mund të luaj si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Jam i mirë me topin dhe në luftën për të, agresiv në mbrojtje, por gjëja më e rëndësishme është që të jap gjithçka nga vetja në çdo ndeshje. Kjo do të jetë e dobishme në përfaqësimin e ngjyrave të Widzew dhe në lojën për tifozët e saj”.
Selahi pritet të jetë një përforcim me peshë për skuadrën polake në sezonin e ri. /Telegrafi/


















































