Zyrtare: Aridon Bllaca largohet nga Gjilani

Gjilani përmes një komunikate zyrtare ka bërë të ditur se ka përfunduar bashkëpunimi me futbollistin Aridon Bllaca, me kërkesë të vet lojtarit.
Bllaca, i cili ishte pjesë e klubit që nga viti 2016, ka kaluar të gjitha fazat e zhvillimit brenda Gjilanit, nga shkolla e futbollit deri te ekipi i parë, ku për disa sezone ka qenë pjesë e rregullt e skuadrës.
Njoftimi i plotë i Gjilanit:
Sport Club Gjilani njofton opinionin publik dhe gjithë tifozët se, me kërkesë të vet futbollistit, është mbyllur bashkëpunimi me Aridon Bllacën.
Aridon Bllaca ka qenë pjesë e pandashme e Sport Club Gjilani që nga viti 2016, kur hapi hapat e parë të karrierës së tij futbollistike në Shkollën e Futbollit të klubit.
Përmes përkushtimit, disiplinës dhe punës së vazhdueshme, ai arriti të rritej profesionalisht dhe të bëhej pjesë e rëndësishme e ekipit të parë, duke mbajtur me krenari fanellën kuqebardhë për disa sezone me radhë.
Gjatë gjithë rrugëtimit të tij në klub, Bllaca u dallua për angazhimin dhe korrektësinë e treguar brenda dhe jashtë fushës së lojës, duke qenë shembull i një futbollisti që u formua dhe u zhvillua brenda familjes "kuqebardh".
Sport Club Gjilani shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj Aridon Bllacës për kontributin e dhënë ndër vite dhe i uron atij shëndet, suksese dhe arritje të reja në vazhdimin e karrierës së tij sportive, si dhe në çdo sfidë që e pret në të ardhmen./Telegrafi/



















































