LAJMI I FUNDIT:

Zyra e Auditimit e dorëzon raportin vjetor në Kuvend të Kosovës për miratim

Zyra e Auditimit e dorëzon raportin vjetor në Kuvend të Kosovës për miratim

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës raportin vjetor të performancës për vitin 2019.

Sipas ZKA-së, të gjitha aktivitetet gjatë vitit 2019 janë mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021, Planin Vjetor të Auditimit 2018/2019, si dhe në Planin Operativ 2019.


“Ngjarja kryesore, e cila e ka karakterizuar performancën e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë vitit 2019 është anëtarësimi me të drejta të plota në në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky anëtarësim përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Bazuar në rezultatet e punës së Zyrës Kombëtare e Auditimit të përfshira në raport, gjatë vitit 2019 janë përfunduar dhe publikuar 128 raporte të auditimit. Prej tyre, 115 raporte janë të auditimit të rregullsisë dhe 13 raporte të auditimit të performancës.

Ndërkaq, me planin vjetor për sezonin e auditimit 2019/2020, ZKA-ja planifikon të kryejë 119 auditime të rregullsisë, si dhe 13 auditime të performancës. /Telegrafi/