LAJMI I FUNDIT:

ZRRE: Elektrosever s’ka përmbushur asnjë kriter të Marrëveshjes për Energji

ZRRE: Elektrosever s’ka përmbushur asnjë kriter të Marrëveshjes për Energji

Kompania serbe Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndonëse i kanë mbetur më pak se tri javë për një gjë të tillë, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë thonë se në bazë të informacioneve që kanë, asnjë nga kriteret e përcaktuara “nuk është përmbushur”.


Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e këtij viti – për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe kompaninë Elektrosever për zbatimin e kritereve të Marrëveshjes, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Udhërrëfyesi për Marrëveshjen e Energjisë përcakton se, në rast të mosveprimit me kushtet e caktuara brenda 100 ditësh nga licencimi, Elektroseverit mund t’i pezullohet ose tërhiqet licenca nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Megjithatë, një vendim i tillë do të duhej të diskutohej paraprakisht mes palëve, përkatësisht mes Kosovës dhe Serbisë.

ZRRE i ka miratuar licencën Elekstroseverit më 24 qershor, apo para 82 ditësh. Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, Elektroprivreda Srbije (EPS), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor.

Kushtet që duhen plotësuar

Vetëm tri ditë pas, bazuar në kushtet e udhërrëfyesit, ZRRE-ja ka licencuar Elektroseverin. Brenda dhjetë ditësh nga licencimi është dashur që Elektrosever të nënshkruajë marrëveshje teknike me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT), në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës.

Pas marrëveshjes me KOSTT-in, brenda 15 ditësh, Elektrosever do të pajisej me disa kode identifikuese për kryerjen e aktiviteteve. Ndërsa, 30 ditë pas kësaj, KEDS-i dhe KOSTT-i do të fitonin qasje te nënstacioni i diskutueshëm i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje të rrymës.

Në udhërrëfyes, po ashtu, thuhet se brenda 45 ditësh, KOSTT dhe KEDS, në konsultim me Elektroseverin, do t’i dorëzonin ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes, si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.

Brenda 21 ditësh, pastaj, ZRRE-ja do t’i miratonte këto plane në parim. KOSTT konfirmoi se pjesën e marrëveshjes me të, Elektrosever nuk e ka përmbushur.

“Elektrosever ende nuk i ka siguruar KOSTT-it të dhënat për konsumatorët e energjisë elektrike”, tha KOSTT.

E pyetur nga REL nëse ka dështuar zbatimi i udhërrëfyesit, ZRRE-ja tha se, “është ende herët të paragjykojmë këtë”.

Në një email dërguar Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, më 9 shtator, me pyetjen se çfarë hapash mund të ndërmerren ndaj kompanisë Elektrosever në rast të mospërmbushjes së kushteve, REL po ashtu nuk ka marrë përgjigje.

“Trysnia” e faktorit ndërkombëtar

Eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku, njëherësh ish-ministër i Energjisë thotë se nuk ka qenë e pritur që Elektrosever t’i plotësojë kushtet e parashtruara.

Këtë e justifikon me faktin se zbatimi i Marrëveshjes për Energjinë është zvarritur qysh në vitin 2013, kur edhe është nënshkruar.

“Vetëm trysnia e madhe e faktorit ndërkombëtar, në këtë rast e BE-së dhe SHBA-së, mund ta detyrojë [Elektroseverin] t’i pranojë dhe kryejë obligimet sipas kontratës”, thotë Çeku.

Problemi i rrymës në veri

Nevoja për një marrëveshje për energjinë ka lindur pasi qytetarët në veri të Kosovës – shumica serbë – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që prej përfundimit të luftës më 1999.

Refuzimi ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë. Nga fundi i luftës deri më 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë marrë fatura me rritje.

Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve – përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.

Me Marrëveshjen për Energjinë, është paraparë që kompania Elektrosever të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.

Elektroseveri nuk do të prodhonte rrymë, por do ta blinte atë – qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar – ndërsa inkasimin do ta bënte vetë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në rast të dështimit të marrëveshjes, Qeveria e Kosovës nuk do të ketë mundësi që në vjeshtë të vazhdojë të paguajë rrymën në veri. /REL/