LAJMI I FUNDIT:

Zyra e Prokurorit të Specializuar paralajmëron sanksione për Dastid Pallaskën për shkak të deklaratave të tij

Zyra e Prokurorit të Specializuar paralajmëron sanksione për Dastid Pallaskën për shkak të deklaratave të tij

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga trupi gjykues në Hagë që ta paralajmërojë Dastid Pallaskën, anëtar i mbrojtjes së Hashim Thaçit, për gjuhën e përdorur në emision televiziv.

Zyra e Prokurorit ka thënë se ai duhet të paralajmërohet se çdo shkelje që e bën në të ardhmen mund të rezultojë me sanksione.

Në kërkesën e Zyrës së Prokurorit thuhet se neni 13 (a) i Kodit të Sjelljes parashikon që avokati dhe prokurorët nuk duhet të ‘bëjnë me vetëdije deklarata në rrjet sociale, për shtypin ose publikun, të cilat janë të rreme ose shpifëse, ose të zbulojnë informacione konfidenciale.


Zyra e Prokurorit ka përmendur një intervistë të Pallaskës të dhënë më 13 prill 2023 në RTK.

“Pallaska u paraqit në një emisionin në RTK, duke dhënë një intervistë të gjerë ku komentoi aspekte të ndryshme të këtyre procedurave. Prokuroria parashtron se fragmentet e mëposhtme shkaktojnë shqetësim të madh, pasi komentet e z. Pallaska shkelin qartë nenin 13 të Kodit të Sjelljes”, thuhet në kërkesë, njofton koha.net.

ZPS-ja ka thënë se Pallaska me vetëdije i ka bërë këto deklarata “të rrejshme”, derisa ka cituar një pjesë të tij se më shumë se “99% e aktakuzës ndaj Thaçit nuk ka të bëjë fare me raportin e Dick Martyt”.

Pallaska në RTK ka thënë edhe se “e gjithë UÇK-ja po gjykohet, me qëllimin që ta deklarojë Kosovën ‘një shtet kriminal’”. Mes tjerash, ai ka folur edhe për artikujt e mediave të cilët po përdorën si prova nga ZPS-ja.