Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj ka thënë se nuk pret ndryshim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk mund të ketë ndryshime nëse nuk ka ndryshim të rrethanave. Nuk po shohim as qasje serioze për të ndryshuar diçka. Siç shihet nuk ka asnjë urgjencë po vijmë këtu çdo 48 orë, kjo është absurde”, tha Zogaj.


Ai shtoi se ideja e këtyre seancave 48 orëshe është që t’u bëhet presion të gjitha partive politike në mënyrë që të dilet nga ngërçi politik.

“Po shihet që këto seanca nuk po e japin një rezultat të tillë. Ne kërkojmë qasje serioze në dalje nga ngërçi politik, e kjo nënkupton komunikim të partisë së parë që ka fituar zgjedhjet me të tjerët. Ne presim që LVV të ftoj edhe të tjerët, ne e kemi refuzuar sepse ekziston një hendek i madh mes LDK-së dhe LVV-së”, ka thënë Zogaj. /Telegrafi/