Kënga “Zjerm” nga Shkodra Elektronike që këtë vit përfaqëson Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovision Song Contest 2025 – po përjeton një sukses të jashtëzakonshëm.  

“Zjerm” e cila ka zgjuar interes të madh që nga prezantimi i tij në Festivalin e Këngës, tashmë ka kapur vëmendjen e publikut evropian dhe, më interesantja, edhe të konkurrentëve të tjerë të Eurovisionit.


Së fundmi, një moment i veçantë dhe emocionues ka bërë xhiron e rrjeteve sociale: grupi përfaqësues i Ukrainës, Ziferblat, është bashkuar me Shkodrën Elektronike për të kënduar së bashku “Zjerm” – këtë herë në një version akustik që u prit me komente pozitive nga fansat anembanë kontinentit.

Ky interpretim i përbashkët është një dëshmi e ndikimit që “Zjerm” ka pasur në komunitetin e artistëve pjesëmarrës në Eurovision, duke kaluar kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë për të krijuar një lidhje të sinqertë artistike.

Ziferblat, grupi alternativ përfaqëson këtë vit Ukrainën në Eurovision me këngën “Bird of Prey”.

Eurovisioni do të nisë më 13 maj, me gjysmëfinalen e parë, ku pritet të ngjitet në skenë edhe Shqipëria. Të gjithë sytë janë tashmë te performanca live e “Zjerm”, e cila është shndërruar në një nga prurjet më të shumëpritura të festivalit.

Finalja e madhe mbahet më 17 maj, ku shpresat janë të mëdha që Shqipëria të shkëlqejë dhe të fitojë zemrat e publikut ndërkombëtar. /Telegrafi/