Zjarri më vdekjeprurës që nga Lufta e Dytë Botërore në Hong Kong - 44 të vdekur, qindra të zhdukur

Zjarri masiv që përfshiu kompleksin e banesave Wang Fuk Court në distriktin Tai Po është shpallur zyrtarisht si tragjedia më vdekjeprurëse në Hong Kong që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore.
Autoritetet konfirmuan se të paktën 44 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 270 të tjerë figurojnë ende të zhdukur, duke rritur frikën se numri i viktimave mund të rritet më tej, raporton cnn.
Zjarri shpërtheu të martën në mbrëmje dhe u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme përmes skelave të bambusë dhe rrjetave plastike të vendosura rreth ndërtesave që ishin në proces renovimi. Këto materiale të ndezshme krijuan një tunel zjarri duke lejuar që flakët të kaplonin shpejt disa ndërtesa njëherësh.
Departamenti i zjarrfikjes aktivizoi alarmin e nivelit 5, sinjalizimi më i lartë i emergjencës në Hong Kong, ndërsa më shumë se 150 zjarrfikës u angazhuan në një operacion të vështirë që zgjati për orë të tëra. Flakët u dukën nga disa kilometra larg dhe dëmtuan rëndë të paktën shtatë ndërtesa të kompleksit ku jetonin rreth 4 mijë banorë.
- YouTube www.youtube.com
Mbi 900 persona janë evakuuar dhe po strehohen në qendra emergjente të hapura nga qeveria e qytetit. Spitalet lokale raportuan dhjetëra të plagosur, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Policia ka konfirmuar arrestimin e tre personave, përfshirë dy drejtues të një kompanie ndërtimi dhe një konsulent sigurie, të cilët dyshohen për “neglizhencë të rëndë” që mund të ketë kontribuar në përmasën e tragjedisë. Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar nëse shkeljet e rregullave të sigurisë në kantierin e renovimit ndikuan në përhapjen katastrofike të zjarrit.
Qeveria e Hong Kongut ka paralajmëruar se ky incident do të sjellë rishikim të plotë të standardeve të sigurisë në objekte të larta, sidomos në ato që janë në rinovim dhe të rrethuara me skela bambuje – një praktikë tradicionale ndërtimi në këtë qytet.
Familjarë të dëshpëruar presin me orë të tëra informacion për të afërmit e tyre, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën në zonën e rrënojave.
Tragjedia ka shkaktuar tronditje të thellë jo vetëm në Hong Kong, por në mbarë botën, duke rikthyer në qendër të vëmendjes çështjet e sigurisë në qytetet me ndërtesa të larta dhe densitet të madh banimi. /Telegrafi/
🚨 Hong Kong has suffered the deadliest fire in its history
At least 44 people were killed and around 100 injured in a residential complex fire, with another 279 still listed as missing.
Rescue teams continue searching for people who may be trapped under the debris. https://t.co/CQ2RaCY0j1 pic.twitter.com/6lLiYRfyDa
— NEXTA (@nexta_tv) November 27, 2025



















































