LAJMI I FUNDIT:

Zjarre aktive në Çashkë, Makedonski Brod dhe Rostushë

Zjarre aktive në Çashkë, Makedonski Brod dhe Rostushë

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim bëjnë të ditur se në orën 12 janë regjistruar zjarre aktive në komunat Çashkë, Makedonski Brod dhe Rostushë-Mavrovë. Në aksionin e shuarjes janë të angazhuar dy aeroplanë, helikopterë, 40 të punësuar në DMSH në koordinim me NP ‘Pyjet e Maqedonisë’ dhe me banorët vendas, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në komunën e Çashkës zjarri është pranë fshatit Bogomilla, lokalitetet Bella Voda dhe Urbanci dhe fshati Drenovë. Zjarri është në një terren pa qasje për mekanizma tokësor dhe për këtë shkak janë angazhuar aeroplanë të DMSH-së dhe zjarri është lokalizuar. Aeroplanët janë riorientuar kah fshati Taor ku digjet pyll me drunj të përzier.


Në komunën Makedonski Brod, zjarri është përreth fshatit Kallugjerec dhe lokalitetit Suva Gora pranë fshatit Vollçe, ku digjet kullosë e thatë dhe drunj pishe.

Plotësisht të shuar janë zjarret te fshatrat Proevce, Orashec, Sllupçan dhe Umni Doll të Kumanovës dhe Kopan Potok, Maxhilla dhe Budinarci të Berovës, Poashtu janë shuar zjarret te fshati Jellovcë dhe Grudeica të Gostivarit, Mramorce të Ohrit dhe Çellovec të Negotinës./Telegrafi/