Zirkzee refuzon skuadrat angleze, ka marrëveshje me gjigantin italian

Joshua Zirkzee po përballet me një periudhë të vështirë te Manchester United, ku roli i tij ka mbetur në hije. Sulmuesi holandez kërkon një ambient të ri për t’u rikthyer në formën e tij më të mirë dhe për të pasur më shumë minuta në fushë.
Me afrimin e afatit të transferimeve të dimrit, situata e tij ka tërhequr interes nga disa klube evropiane. Megjithatë, sipas mediave italiane, është Roma ajo që ka marrë avantazhin për firmën e 24-vjeçarit.
“La Gazzetta dello Sport” raporton se drejtuesit romanë e shohin Zirkzeen si përforcimin ideal për repartin ofensivë, me trajnerin Gian Piero Gasperini që ka dhënë pëlqimin e tij për transferimin.
Holandezi ka pasur oferta konkrete nga West Ham United dhe Wolverhampton Wanderers, por i ka refuzuar të dyja, duke i dhënë fjalën Romës. Zirkzee beson se Serie A është vendi më i përshtatshëm për të zhvilluar karrierën e tij.
Negociatat pritet të intensifikohen në javët e ardhshme, ndërsa Roma do të paraqesë një propozim zyrtar për të siguruar kartonin e tij në janar. Manchester United është e gatshme të dëgjojë ofertat.
Kryeqytetasit janë optimistë se marrëveshja do të arrihet, pasi lojtari tashmë ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me projektin e Romës dhe për të nisur një faqe të re në karrierë.
Nëse gjithçka finalizohet me sukses, Joshua Zirkzee pritet të jetë goditja e parë e madhe e Romës në merkaton e dimrit, një lëvizje që mund t’i rikthejë shkëlqimin një prej talenteve më premtues të Holandës. /Telegrafi/





















































