Zidane: Ndeshja ndaj Interit është një finale

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, pret një tjetër ndeshje të vështirë në Ligën e Kampionëve – atë ndaj Interit.
Të martën mbrëma, Los Blancos janë nikoqirë të Nerazzurrëve, ndërsa homologu i tij në skuadrën tjetër është ish-bashkëlojtari Antonio Conte.
Dy skuadrat kanë nevojë për pikë, duke qenë se nuk e kanë nisur mirë fazën grupore: Reali ka vetëm një pikë në Grupin B nga një barazim dhe një humbje, kurse Interi ka barazuar dy ndeshje dhe numëron dy pikë.
“Interi është skuadër e mirë, shumë fizike dhe luan futboll të mirë. Është një tjetër ndeshje e vështirë për ne. Është një finale”.
“Këto janë tri pikë që duhet doemos të përpiqemi t’i marrim. Secila ndeshje është një finale, e dimë dhe do të përqendrohemi pa menduar se çfarë do të ndodhë më vonë”, ka thënë Zidane në konferencën për shtyp. /Telegrafi/






















































