LAJMI I FUNDIT:

Zhvillimi i demokracisë, historiku, kritika dhe sfidat

Zhvillimi i demokracisë, historiku, kritika dhe sfidat
Ilustrim

Nga: Ylber Aliu

(Recension për librin e Ramë Bujës dhe Vrullim Bujës, Demokracia, zhvillimi, demonizimi)

Për nga kronologjia e trajtimit historik të zhvillimit të demokracisë, thellësisë së shqyrtimit vertikal të demokracisë, kombinimit të qasjes teorike dhe praktike në shtjellimin e subjektit të librit, të gjuhës së komunikimit me lexuesin, stilit akademik të citimit dhe fusnotave, relevancës së literaturës akademike dhe shkencore të përdorur, kontekstit kosovar të demokracisë dhe shtetndërtimit, përfitimit për studentët dhe qytetarët e interesuar për të mësuar më shumë për këtë demokracinë, libri i profesorëve Ramë Buja dhe Vrullim Buja me titullin Demokracia, Zhvillimi, Demonizimi, është i pakrahasueshëm nga autorët tjerë shqiptarë që kanë shkruar për këtë temë.

Autorët shtjellojnë subjektin e librit në dy dimensione kryesore. I pari është dimensioni horizontal, duke elaboruar konceptin e demokracisë që nga demokracia klasike – athinase, demokracinë liberale, demokracinë e drejtpërdrejtë, demokracinë deliberative, si dhe kuptimin e demokracisë sot në përgjithësi, dhe në mënyrë specifike raportin mes demokracisë dhe sistemit global. I dyti është dimensioni vertikal, duke elaboruar thellësisht karakteristikat kryesore të llojeve të ndryshme të demokracisë.

Autorët kanë kombinuar qasjen teorike dhe praktike në shtjellimin e demokracisë. Lexuesit fillimisht do të gjejnë shpjegime për kornizën teorike të demokracisë dhe këto shpjegime pastaj kombinohen me gjetjet praktike. Një simbiozë e tillë reflektohet edhe nga sfondi i njërit prej autorëve të librit, profesorit Ramë Buja. Duke qenë edhe vet [Ramë Buja] për shumë vjet akter dhe pjesëmarrës në veprimtarinë e përditshme politike të Kosovës, kombinuar kjo me sfondin akademik si profesor dhe intelektual nga fusha e shkencave politike, ai arrin që teoritë për demokracinë t’i kombinojë me praktikën, qoftë në kuptimin e shpjegimit, kritikës apo krahasimit të temave.

Autorët në libër përdorin një gjuhë të drejtpërdrejt, të saktë e të kuptueshme në komunikimin me lexuesin. Libri është i shkruar me fjali të shkurta dhe të qarta. Lexuesi, madje edhe ai që nuk i përket fushës së studimeve të shkencave shoqërore, lehtësisht mund të përshtatet me gjuhën me të cilën autorët komunikojnë. Gjuha është përshkruese, krahasuese, ndërsa e veçanta tjetër është: mendimi dhe gjuha kritike. Çdo kapitull i librit përfundon me një vështrim kritik ndaj subjektit të trajtuar në kuadër të atij kapitulli. Ky stil i shkrimit, promovon logjikën e mendimit kritik në politikë që është aq i nevojshëm për shtetin dhe shoqërinë tonë.

Autorët kanë përdorur një literaturë akademike dhe shkencore kryesisht të viteve të fundit, çka e bënë një libër të krahasueshëm me standardet shkencore ndërkombëtare.

Nga ky libër do të përfitojnë studentët e shkencave shoqërore në përgjithësi, por sidomos studentët e shkencave politike, shkencave juridike etj. Libri është i përdorshëm për lëndët për demokracinë, për format e qeverisjes; lexuesi gjen në të një kapitull të veçantë, mjaftë mirë të strukturuar, për republikanizmin si formë kryesore e qeverisjes, për globalizimin, për lëndët nga fusha e administratës publike – si roli dhe rëndësia e meritokracisë për lëndët e sistemeve politike etj. Libri gjithashtu është i përdorshëm edhe për lexuesit e interesuar për të mësuar më shumë për kuptimin, si dhe për zhvillimin e demokracisë. Elita politike, zyrtarët publikë të të gjitha niveleve, si dhe elita intelektuale në përgjithësi, gjejnë shpjegime të mjaftueshme për demokracinë në këtë libër.

Rëndësia e librit bëhet shumë më e theksuar duke e vendosur në kontekstin e habitatit tonë politik: Kosovës. Kosova, si shtet i ri në procesin e konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm, ka nevojë më shumë të ngre kapacitetet e veta për demokracinë. Sistemi politik i Kosovës, nga ky libër mund të marrë sqarimet e mjaftueshme për të kuptuar se në cilat drejtime mund të reformohet. A është republikanizmi formë më e mirë e qeverisjes se sa parlamentarizmi? Cilat janë përparësitë dhe mangësitë e njërës dhe tjetrës? Cilat janë përparësitë e demokracisë së drejtpërdrejtë? Si të ndërtojmë një meritokraci të demokracisë kosovare? … janë vetëm disa prej koncepteve të cilat janë të përdorshme për politikëbërësit në Kosovë.

Në fund, autorët komunikojnë me vetveten. Pyetja që i shtrojnë vetes është: “A mund të vdesin demokracitë”? Përgjigjja është: “Demokracitë mund të vdesin si pasojë e një coup d’etat (grusht shteti) – ose mund të vdesin ngadalë”. Ky konkluzion i librit na paralajmëron se demokracia, ndonëse vazhdon të mbetet forma më e mirë e qeverisjes, nuk është një proces i përfunduar, por vazhdimisht i kërcënuar nga autoritarizmi dhe abuzimi me pushtetin.