​Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar në Facebook për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki në vend.

Rama uron të diel të qetë teksa fton qytetarët e 6 bashkive që të ushtrojnë të drejtën themelore demokratike për të zgjedhur.

Nuk mungon komenti i Ramës edhe për situatën e luftës në Ukrainë teska thotë se, “në lindje të Evropës, po masakrohen për të mos e humbur atë të drejtë bashkë me demokracinë”.

654,538 shtetas shqiptarë do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj në bashkitë Vorë, Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë mes kandidatëve të PS, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të përbërë nga LSI dhe PDK.

Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar. 10,134 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në 6 bashkitë, qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.

Në të gjitha qendrat e votimit do të jetë identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve ose më parë, ka njoftuar para disa ditësh kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga presidenti Ilir Meta më 20 janar të këtij viti. /Telegrafi/