Në një konferencë për media, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka përfunduar në orën 19:00 dhe, sipas të dhënave nuk janë evidentuar incidente që do të mund të cenonin integritetin apo besueshmërinë e zgjedhjeve.

Kryetari i KQZ-së njoftoi se deri në këtë orë kanë votuar gjithsej 791 mijë e 123 qytetarë, që përbën 39.07% të votuesve nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona me të drejtë vote.


Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, ku deri në të njëjtën kohë kishin votuar 770 mijë e 171 qytetarë apo 43%, pjesëmarrja është pak më e ulët.

“Procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Gjatë ditës janë evidentuar disa probleme teknike, por ato janë adresuar me efikasitet dhe nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e votimit,” u tha në konferencë.

KQZ ka falënderuar institucionet që kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit.

“Aktualisht, në shumicën e vendvotimeve ka nisur procesi i numërimit të votave, fillimisht për kandidatët për kryetarë të komunave, ndërsa nga nesër do të fillojë numërimi për kuvendet komunale në qendrat komunale të numërimit”, tha Radoniqi.

KQZ gjithashtu kujtoi se ka filluar afati 48-orësh për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sa i përket publikimit të rezultateve preliminare të kandidatëve dhe partive, KQZ bëri të ditur se për orën e saktë të konferencës së radhës, do të njoftojë me kohë përmes zëdhënësit zyrtar. /Telegrafi/