LAJMI I FUNDIT:

Zëvendëspresident i Grupit BALFIN: Sfidat për biznesin në Shqipëri e Kosovë, viti 2024 pritet pozitiv

Zëvendëspresident i Grupit BALFIN: Sfidat për biznesin në Shqipëri e Kosovë, viti 2024 pritet pozitiv
Julian Mane - Zëvendës president i Grupit BALFIN

Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun punës. Informaliteti është një çështje delikate e përmendur edhe në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën në vitin 2023. Informaliteti ekonomik në Kosovë është veçanërisht i dukshëm në sektorët kyç si bujqësia, ndërtimi dhe shitja me pakicë, vlerëson raporti.

Një raport i BE-së i vitit 2017 vlerësoi se tregu informal dhe i paligjshëm përbën rreth 32 për qind të PBB-së së vendit, thuhet në raport.


Po si e shohin këtë bizneset? Rritja e çmimeve të produkteve, informaliteti në nivele të larta dhe burimet njerëzore të kualifikuara. Këto paraqiten si sfida edhe për tregtinë me pakicë siç thekson edhe z. Julian Mane Zëvendës president i Grupit BALFIN, nga grupet më të mëdha shqiptare prezent në Kosovë.

Në një intervistë për revistën Monitor, z. Mane pohon se, për sa i përket informalitetit, fatkeqësisht vëmë re regresin e bërë këtë vit në shumë sektorë lidhur me mos deklarimin, mos zhdoganimin e rregullt apo edhe rritjen e hapësirës që po merr ekonomia në të zezë në disa sektorë në vendet ku operojmë.

Shitjet me pakicë në Grupin BALFIN përbëhen nga Neptun, ose kompania më e madhe e produkteve elektronike për konsumatorin në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, nga kompania KidZone International, e cila përfaqëson produktet Jumbo në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë

Kid Zone Kosova është kompania e tretë e grupit Balfin mes ndërmarrjeve më të mëdha shqiptare në Kosovë për nga xhiroja. Ajo operon në shitjen me pakicë të lodrave dhe artikujve jo-ushqimorë nën markën Jumbo.

Zëvendës president i Grupit BALFIN  shprehet se, gjithashtu edhe në sektorin e produkteve ushqimore apo të supermarketeve, vihet re rritje e aktivitetit informal.

“Pavarësisht se ka një tentativë të vetë bizneseve që janë rritur dhe stabilizuar për t’ju përgjigjur detyrimeve ligjore duhet një rol më i madh i shtetit. Duhet një rol më i fortë, në mënyrë që të garantohet zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e konsumatorit, sepse produktet ushqimore në tregun e zi dhe informal janë rrezik për shëndetin.

Për sa i përket sfidës së tretë, burimeve njerëzore, duhet të theksoj faktin që rritja e aktivitetit dhe zgjerimi i rrjeteve të Spar, Neptun, Jumbo dhe FGA ka sjellë rritjen e kërkesës për disa pozicione pune.

Rritja e shpejtë na ka sjellë vështirësi për të gjetur staf të kualifikuar. Ne i jemi përgjigjur kësaj sfide, duke përmirësuar vazhdimisht pagat e punonjëse dhe duke ofruar kualifikime të vazhdueshme,” thotë z. Julian Mane

A ka optimizëm për 2024? Për shitjet me pakicë, viti 2024 pritet të jetë pozitiv, duke i dhënë një shtysë dhe rritje tregtisë me pakicë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.” thekson z. Mane.

Kjo edhe për faktin që efektet negative të krizës së krijuar prej pandemisë po shuhen, por edhe vetë bizneset kanë fituar një përvojë të caktuar dhe kanë ndërtuar mekanizma që u përgjigjen më shpejt ndryshimeve.

“Megjithëse vështirësitë e tregut, thotë Zoti Mane, jam optimist, pasi shikoj sfida interesante, ku risitë teknologjike dhe shërbimet digjitale na ofrojnë shumë hapësira për të përmirësuar ofertën tonë karshi konsumatorëve, në të gjitha vendet ku operojmë.”