Zelensky: Negociata të rëndësishme javën e ardhshme jo vetëm për delegacionin tonë, por edhe për mua personalisht

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se negociata të rëndësishme janë planifikuar për javën e ardhshme.
Zelensky tha se Ukraina po përgatit terren të fortë për këto bisedime, transmeton Telegrafi.
"Javën e ardhshme, do të ketë negociata të rëndësishme jo vetëm për delegacionin tonë, por edhe për mua personalisht, dhe ne po hedhim themele të forta për këto bisedime. Ukraina do të qëndrojë e vendosur. Gjithmonë do të qëndrojë kështu. Faleminderit të gjithëve që na ndihmojnë! Faleminderit të gjithëve që mbrojnë Ukrainën sikur po mbrojnë veten", shtoi presidenti ukrainas.
Ai vuri në dukje se ekipi ukrainas dhe përfaqësuesit e SHBA-së më vonë këtë javë - në fund të javës - do të vazhdojnë të punojnë për të sjellë pikat e dakordësuara në Gjenevë "në një formë që na vendos në rrugën drejt paqes dhe garancive të sigurisë".
"Do të ketë një takim të delegacioneve. Delegacioni ukrainas do të jetë i përgatitur mirë dhe i përqendruar në punë thelbësore. Ne mbetemi në kontakt të ngushtë me palën amerikane dhe miqtë tanë evropianë. Gjithashtu po i informoj partnerët tanë në pjesë të tjera të botës dhe u jam mirënjohës atyre për mbështetjen e tyre ndaj sovranitetit dhe shtetit tonë. Ndërkohë, po bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që Ukraina të ketë mbështetje të mjaftueshme mbrojtëse", tha për fund Zelensky. /Telegrafi/














































