Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se kishte folur me presidentin e SHBA-së Donald Trump për herë të dytë brenda dy ditësh.

Ai tha se ata diskutuan forcimin e mbrojtjes ajrore, rezistencës dhe aftësive të sulmit me raketa me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës.


"Ne diskutuam gjithashtu shumë detaje që lidhen me sektorin e energjisë. Presidenti Trump është i informuar mirë për gjithçka që po ndodh. Ne ramë dakord të vazhdojmë dialogun tonë dhe ekipet tona po bëjnë përgatitje", tha Zelensky.

Kremlini njoftoi më herët sot se Rusia është thellësisht e shqetësuar për mundësinë që SHBA t'i jap Ukrainës raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, duke paralajmëruar se lufta ka arritur në një moment dramatik përshkallëzimi nga të gjitha palët.

Trump tha se përpara se të binte dakord t'i jepte raketat Tomahawk, ai do të donte të dinte se çfarë planifikonte të bënte Ukraina me to, sepse nuk donte ta përshkallëzonte luftën.

Zelensky theksoi se Ukraina do t'i përdorte Tomahawk vetëm për të arritur objektiva ushtarake dhe nuk do të sulmonte civilët në Rusi. /Telegrafi/