LAJMI I FUNDIT:

Zeka skeptik për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Zeka skeptik për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon konsensus gjithëpërfshirës politik në vend, jo vetëm për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe për aprovimin e Pakos për rimëkëmbjen ekonomike.

Drejtues të kësaj Ode po ashtu shprehin shqetësimin edhe për mos implementimin e masave të Pakos emergjente fiskale për bizneset të cilat kanë pësuar më së keqi nga pandemia.


Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka në një intervistë për KosovaPress nuk ka përjashtuar mundësinë që vendi të dështojë për nxjerrjen e Pakos ekonomike nëse vazhdon kriza politike.

Ai kërkon nga Ministria e Financave dhe Transfereve që të merren parasysh rekomandimet e OEAK për pakon për rimëkëmbjen e ekonomike.

Zeka thotë se OEAK ka qenë pjesë e Grupit punues për dizajnimin e Pakos për rimëkëmbje ekonomike dhe propozimi i tyre ka qenë për një qasje shume dimensionale, ku sipas të cilit përveç mbështetjes financiare për dhënie të kredive bizneseve ose përmes subvencionimit të kredive, vendi të nisë me dizajnimin e akteve ligjore të cilat do të mundësonin pushimet tatimore për bizneset, lehtësira fiskale në përgjithësi, në të njëjtën kohë edhe grante dhe asistenca financiare për ndërmarrësit për gra, për ndërmarrësit që në përgjithësi kanë vështirësi për qasje në financa.

“Besojmë që kjo do të ndihmonte edhe ndryshimin e strukturës së ekonomisë në përgjithësi, do ta bënte vendin më atraktiv dhe për investitorët nga diaspora. Dhe investitorët e huaj në përgjithësi, por në njëjtën kohë do t’i jepte një nxitje edhe ndërmarrësisë brenda vendit. Shpresojmë, meqenëse jemi në pritje edhe ne si Odë Amerikane, në pritje të dokumentit, i cili do të tregojë edhe konturën e kësaj pakoje të rimëkëmbjes, shpresoj se këto komente tona. Rekomandimet tona do të merren parasysh dhe do të përfshihen në planin e rimëkëmbjes, të cilin do ta prezantojë Ministria e Financave dhe Transfereve, shpresojmë gjatë kësaj jave”, thotë Zeka.

Ai tha se për t’u bërë një pako për ekonomi, duhet të ketë unitet në skenën politike, në të kundërtën ka rrezik të dështojë pakoja e rimëkëmbjes

“Referenca e juaj (për dështim) është goxha e saktë në këtë aspekt meqenëse ne tashmë jemi edhe në një situatë të një krize politike. Natyrisht, rritja e niveleve të huamarrjes së jashtme duhet të marrë aprovimin e kuvendit të Kosovës nga 2/3 të deputetëve. Madje, në një njoftim të njërës prej institucioneve financiare ndërkombëtare është thënë kështu: ‘Ne kemi përfunduar me sukses negocimin e një huaje për Qeverinë e Republikës së Kosovës, por i ftojmë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të aprovojnë këtë hua’. Andaj, ngjashëm duhet të ndodhte edhe me rastet e tjera. Për tej nevojës së aprovimit të huave të tilla, besoj që këtë moment Kosova ka nevojë për një konsensus gjithëpërfshirës politik, jo vetëm për aprovimin e huave të tilla nga institucionet financiare ndërkombëtare, por edhe për aprovimin e asaj që do të ishte dokumenti bazik e i detajuar për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, ku të gjitha partitë politike, të gjitha grupet parlamentare në konsultim me ekspertët e pavarur, me odat ekonomike me akademinë dhe me të gjithë hisedarët e këtij vendi t’i jepnin një aprovim ose të mund të kontribuonin në atë dokument, i cili pastaj pavarësisht ndërrimit të qeverive ose jo dhe pavarësisht rrethanave politike, të cilat do të zhvilloheshin, ndërkohë do ta shfrytëzonin atë dokument si udhërrëfyes në të cilin do të bazoheshin të gjitha vendimet e ardhshme”, tha Zeka.

Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane shprehu shqetësimin e tij për mos zbatimin e masave të Pakos emergjente për biznese. Sipas tij, është një numër i madh i ankesave nga bizneseve për mos implementim të kësaj pakoje sa i përket masës për qiratë.

“Përtej kësaj, shqetësimi ynë është për mos implementimin e të gjitha masave të parapara në kuadër të Planit fiskal emergjente, i cili është aprovuar muaj më parë. Ende ka masa, të cilat nuk janë zbatuar deri në fund. Ende vazhdojmë të marrim ankesa nga ana e kompanive të cilat nuk kanë marrë kompensimin për pagesën e qirasë. Edhe ka kompani, edhe punonjës të kompanive të cilët janë ankuar për mos pranimin e kompensimit për pagat e muajt mars, prill dhe maj ashtu siç është paraparë me planin emergjent fiskal. Kjo është më se e nevojshme që të përfundojnë këto masa. Madje, një propozim yni, edhe propozim i Bankës Qendrore ka qenë që disa prej këtyre masave siç është kompensimi i pagave dhe qirave të vazhdojë edhe pas muajit maj, duke pasur parasysh që likuiditeti te ndërmarrjet ka qenë njëri prej problemeve më të shprehura gjatë këtyre javëve të kaluara. Ndërmarrjet do të kenë nevojë për një stimulim në aspektin financiar, prandaj, vazhdimi i disa prej këtyre masave nga pakoja emergjente fiskale ka qenë më se e nevojshme derisa të fillojë zbatimi, natyrisht i planit të rimëkëmbjes dikur më vonë”, thotë ai.

Sa i përket formës së financimit të pakos së dytë, Zeka shprehet se ideja e guvernatorit për rritjen e Fondit të garantimit të kredive me një shumë prej 300 milionë euro është në përputhje me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, e që duhet të ndryshuar edhe korniza ligjore.

Mirëpo, kreu i OEAK-ut pohon se gjatë diskutimeve me grupin punues për këtë pako nuk është diskutuar në detaje për sa i përket këtyre burimeve.

“Nëse shtyhet një ide e tillë e guvernatorit, që është mjaft në përputhje edhe me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për sa i përket planit të ri, duhet së pari të analizohet korniza ligjore nëse diçka e tillë është mundshme për të parë nëse duhet të ketë ndonjë ndryshim edhe për sa i përket përqindjes së garancionit që mund të jepet përmes Fondit Kosovar për garantimin e kredive. Për sa i përket burimeve, ka qenë edhe një kërkesë e jona si Odë Amerikane dhe anëtarëve të tjerë të Grupit Punues që të identifikohen që tash burimet e sigurimit të mjeteve të cilat qeveria do t’i vinte në dispozicion për zbatimin e Planit ose pakos së rimëkëmbjes. Nuk është që është diskutuar në detaje për sa i përket këtyre burimeve, por ajo çfarë ne kemi propozuar vazhdimisht dhe jo vetëm tash kur diskutohet pakoja e rimëkëmbjes, por edhe më herët, është që burimet e financimit natyrisht të jenë mjetet e huazuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, edhe duke diture dhe një fakt tjetër që na shkon për shtati gjatë kësaj periudhe, kemi një përqindje të ulët të borxhit publik karshi bruto produktit vendor që na lejon edhe rritjen e niveleve të huamarrjes dhe vënien në dispozicion të këtyre mjeteve për sektorin privat dhe për rimëkëmbjen tonë ekonomike në përgjithësi”, thekson ai.

Zeka, po ashtu, ka kërkuar nga BQK-ja që në koordinim me bankat komerciale, edhe pas muajt maj, të aplikojnë sërish vendime për shtyrjen e kësteve për kredi, gjithnjë duke u bazuar në kërkesat e bizneseve të prekura si pasojë e masave kufizuese pas pandemisë COVID-19 dhe duke analizuar performancën financiare të bizneseve. /KP/