Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Neonët 8”, duke zbuluar një tjetër ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me llamba. Me këtë rast, numri i rasteve të goditura në kuadër të operacionit “Neonët” ka arritur në 13.

Si rezultat i operacionit, u arrestua një 35-vjeçar, banues në fshatin Bratosh, ndërsa një 36-vjeçar, banues në fshatin Vrakë, është shpallur në kërkim.


Gjithashtu, katër punonjës të OSHEE-së u ndaluan, ndërsa një tjetër procedohet penalisht për shpërdorim detyre.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrolleve u zbuluan tre ambiente në fshatin Boriç i Madh (një banesë dhe dy stalla) të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e kanabisit. Nga kontrolli u sekuestruan: 771 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 6.25 kg material bimor i dyshuar kanabis, 195 llamba, 21 aspiratorë dhe 20 filtra ajri

Policia thekson se ambientet ishin të pajisura me energji elektrike të lidhur në mënyrë të paligjshme për të siguruar kushtet për kultivim.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa hetimet vazhdojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale./Telegrafi/